SPRTK thotë se po ndëshkohen gazetarët e RTK-së në kohë pandemie, paralajmëron grevë e protesta
Sindikata e Pavarur e RTK-së ka reaguar ashpër kundër masave ndëshkuese, që, sipas kësaj sindikate, po ndërmerren këto ditë ndaj gazetarëve të RTK-së.
SPRTK thotë se në vend se në këtë kohë, “më të pazakonshmen që nga lufta e dytë botërore për njerëzimin”, të mobilizohemi për t’i përkrahur kolegët tanë të cilët po e japin maksimumin në informimin e qytetarëve, drejtuesit e RTK-së, përkundrazi bëjnë veprime dekurajuese, të dëmshme për të punësuarit dhe për RTK-në në përgjithësi.
“Fajtorë pse RTK-në e kemi në këtë situatë, nuk janë të punësuarit e RTK-së por politikat e gabuara menaxheriale e editoriale të cilat janë përgjegjësi e organeve drejtuese të RTK-së. Si ka mundësi që shefi editorial, i cili është iniciues i këtyre masave, të na flasë për etikë e profesionalizëm, kur vet ai personalisht, duke e keqpërdorur hapësirën programore, del publikisht fyen përfaqësuesit institucionalë”, thotë kjo Sindikatë në një reagim të postuar në Facebook.
Kryesia e SPRTK-së kërkon që menjëherë të ndalet kjo fushatë ndaj të punësuarve të RTK-së, dhe fokusimi në planin afatshkurtër të jetë në zvogëlimin deri në minimum të pasojave nga pandemia, ndërsa në planin afatgjatë, rikthimi i besueshmërisë te publiku.
“Në të kundërtën ne do të detyrohemi që megjithë situatën e rrezikshme për jetën dhe shëndetin tonë, ta shqyrtojmë seriozisht opsionin e grevës dhe të protestës”, ka përfunduar reagimi i SPRTK-së.