Specialja kthehet në aksion pas pushimeve, cak telefonat

Pas tri javëve pushim, Gjykata Speciale është rikthyer në aksion. Këtë herë në cak i ka telefonat e personal të figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Katër telefona janë sekuestruar në më pak se një javë, me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë. Zakonisht, gjatë shtatorit, Specialja intesifikon punën pothuajse secilin vit. Edhe arrestimet e para nga kjo gjykatë, ishin kryer pikërisht gjatë shtatorit.
Me mbarimin e pushimeve verore, Gjykata Speciale i është kthyer punës. Shtatorin e sivjetmë, Specialja e ka nisur me bastisje dhe konfiskimin e telefonave të figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga e diela, hetuesit e EULEX’it janë duke konfiskuar telefona personal, me urdhër të ZPS’së.
Specialja e ka nisur me konfiskimin e telefonit të ish-burgosurit politik, njëherit Ambasador i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani. Ai është shoqëruar nga hetuesit e EULEX’it për në bazën e tyre në Fushë Kosovë, ku ka qëndruar për disa orë.
Telefoni i është konfiskuar edhe ish-Komandantit të UÇK’së në Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafës-Remit.
Të martën në mbrëmje, Remi ka njoftuar se i kanë shkuar para shtëpisë hetuesit e Speciales, me urdhër për kontroll të telefonit dhe se më pas është shoqëruar për në bazën e EULEX’it në Fushë Kosovë.
“Në zyre të Eulexit më është sekuestruar telefoni im dhe posa është bërë kjo kontrollë pa asnjë interesim shtesë nga ana e tyre, ka përfunduar biseda dhe tani gjendem në shtëpi”, njoftoi Remi.
Një telefon është konfiskuar edhe nga banesa e familjes së heronjve Bahri dhe Fahri Fazliu.
Familjari i tyre, Fadil Fazliu, ka deklaruar për media se përveç telefonit, janë konfiskuar edhe disa fotografi familjare e shoqërore dhe laptopi i punës. Sipas tij, banesa në fjalë ka shërbyer si bazë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në përfundim të luftës në Kosovë.
Me urdhër të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, i është sekuestruar telefoni edhe vëllait të Salih Mustafës, Arben Mustafës.
Lajmin e ka konfirmuar avokati i Mustafës, Betim Shala.
“Po është e vërtetë. Ka ndodhur sot rreth orës 16:00. Telefonin e ka konfiskuar policia e EULEX-it. Kjo është bërë me vendim të gjyqtarit të Gjykatës së Dhomave të Specializuara në Hagë”, ka deklaruar Shala për Express.
Sipas tij, “ekziston dyshimi i kryerjes së veprës penale “pengim i drejtësisë”. Për momentin vetëm ky hap procedural është marrë, pra konfiskimi i telefonit”, ka thënë Shala.
Ndaj këtyre zhvillimeve ka reaguar ushtruesi i detyrës së Kryetarit të OVL e UÇK’së, Faton Klinaku.
Ai ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i, “janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal.”.
Klinaku ka thirrur protestë për nesër, para selisë së EULEX’it në Fushë Kosovë, nga ora 12:00.
“Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin. Prandaj, duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë Kosovë, nesër me datë 15 shtator 2023, ora 12:00”, ka shkruar Klinaku.
Shtatori, muaji kur Specialja nis intensifikimin e punës
Shtatori njihet si muaji që secilin vit, Specialja intensifikon punën. Edhe arrestimet e para janë kryer pikërisht gjatë këtij muaji, në vitin 2020.
I arrestuari i parë nga Specialja, ishte Salih Mustafa. Arrestimi i tij ishte kryer më 24 shtator të vitit 2020.
Një ditë më pas ishin arrestuar edhe kreu i OVL e UÇK’së, Hysni Gucati dhe nënkryetari Nasim Haradinaj.
Arrestimet e tjera atë vit, Specialja i kishte kryer në fillim të muajit nëntor, kur ishin arrestuar ish-krerët e UÇK’së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ndërkohë, dënimin e parë për krime lufte, Specialja e ka shqiptuar në dhjetor të vitit 2022.
Ish-pjesëtari i UÇK’së, Salih Mustafa, ishte dënuar me 26 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme. Para Mustafës, Specialja kishte dënuar për pengim të administrimit të drejtësisë ish-krerët e OVL e UÇK’së, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajt.
Aktualisht në fazën e gjykimit dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve është rasti i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Në fazën e Gjykimit është edhe rasti i Pjetër Shalës.
Gjykata Speciale është themeluar me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Gjykata u ngrit në bazë të ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe si e tillë, konsiderohet si e Kosovës. Megjithatë, askush nga Kosova s’lejohet të ketë dorë aty. Në atë tribunal, si kosovar mund të shkosh vetëm si i akuzuar, dëshmitar, viktimë ose avokat.
Edhe sipas ligjit me të cilin u themelua, Specialja gëzon përparësi mbi të gjitha gjykatat tjera në Kosovë. Pra, edhe nëse mund të konsiderohet e Kosovës, nuk është e barabartë me gjykatat tjera në Kosovë. Selia e saj është në Hagë të Holandës.
“Brenda juridiksionit lëndor të tyre, Dhomat e specializuara kanë përparësi mbi të gjitha gjykatat e tjera të Kosovës”, thuhet qartë në pikën një të nenit 10 të ligjit për Specialen, edhe pse paraprakisht thuhet se Dhomat e Specializuara janë “pjesë përbërëse e çdo niveli të sistemit të gjykatave në Kosovë”.
Sipas pikës vijuese të këtij neni, në çdo fazë të hetimeve ose procedurave, Gjykata Speciale ose prokurori i specializuar mund të urdhërojnë transferimin e procedurës brenda juridiksionit të tyre nga ndonjë prokuror tjetër ose ndonjë gjykatë tjetër [përveç Gjykatës Kushtetuese] në territorin e Kosovës.