Specialja do të vazhdojë me intervistimet
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të Gjykatës Speciale me seli në Hagë ka konfirmuar për FaktePlus se ende është në proces dhe do të vazhdohet edhe më tutje me intervistimin e të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve lidhur me krimet që supozohet se ndodhën gjatë periudhës 1998 deri në vitin 2000.
Deri tani ftesa nga Prokurorët e Dhomave të Specializuara kanë marrë dy ish- komandantë të zonave operative që shkuan për t’u intervistuar në Hagë, kurse ftesa kanë marrë e janë intervistuar në Kosovë edhe disa ish- pjesëtarë tjerë të UÇK-së.
Zëdhënësi i ZPS-së, Christopher Bennett nuk ka dhënë ndonjë informacion se kur priten të ngritën aktakuzat e para apo se kush e në cilën datë do të ftohet për intervistim, por pohoi tha se ky proces do të vazhdojë.
“Prokuroria Speciale ka autoritetin të kërkojë prezencën dhe marrjen në pyetje të të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve. Të mbledhë dhe të shqyrtojë informacionet dhe provat. Të marrë vendime për fillimin si dhe vazhdimin ose përfundimin e procedimeve penale. Dhe ky do të jetë një proces që ende do të vazhdojë”, ka thënë Bennett për FaktePlus.
Por, burime të FaktePlus tregojnë se së shpejti pritet të intervistohen edhe një numër ish- komandantësh e ish- pjesëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Disa prej tyre intervistat do t’i japin në Prishtinë, e disa në Hagë.
Ky burim thotë se në listë për intervistim janë edhe figura të larta të luftës (emra të njohur për redaksinë) e që tani kanë poste me rëndësi në institucionet e Republikës së Kosovës.
Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale po punojnë për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave tjera penale, në lidhje me akuzat e ngritura nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011.
Në fakt po hetohet për krime lufte në Kosovë, e të cilat pretendohet se i kryen ish- pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Më saktë këto pretendime për krime i ngriti në raportin e tij për Këshillin Evropian senatori Dick Marty, e i cili thotë: “krimet janë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000”.
Kështu pas shumë përpjekjeve edhe u formua Gjykata Speciale. Kjo gjykatë është formuar pasi Kuvendi i Kosovës miratoi legjislacionin e nevojshëm dhe u bë plotësisht funksionale në korrik të vitit 2017.
Gjykata financohet nga Bashkimi Evropian dhe drejtohet nga stafi ndërkombëtar./A.B -FaktePlus