Specializantët paralajmërojnë padi kundër Ministrisë së Shëndetësisë
Specializantët e të gjitha Klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë shprehur pakënaqësi për pagesat e kujdestarive. Duke i konsideruar këto pagesa si jo të barabarta, dhe në kundërshtim me Ligjin e punës, ata po paralajmërojnë edhe padi kundër Ministrisë së Shëndetësisë.
Përfaqësuesi i Këshillit të Specializantëve, Urim Çerkini thotë për KosovaPress se krahas organizimeve të tyre sindikale dhe takimeve me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, përveç premtimeve, ende nuk ka reflektim për problemet e tyre.
Çerkini thotë se shqetësim i tyre kryesor është pagesa e ulët e kujdestarive gjatë fundjavës, e cila po u paguhet sikurse kujdestaritë gjatë ditëve të punës, ndërsa kërkesë e vazhdueshme e specializantëve me vetëfinancim mbetet kthimi i tyre në specializantë të rregullt.
“Shqetësimi ynë si mjek specializant është çështja e kujdestarive të fundjavave të cilat nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë paguhen njëjtë sikurse ato të ditëve të punës dhe sikurse ato të fundjavës e që është shkelje e Ligjit të Punës dhe për të cilin jemi konsultuar me juristin e Odës së Mjekëve të Kosovës dhe nëse asnjë nga format e organizimit tonë nuk do të ketë sukses atëherë jemi të detyruar që të ushtrojmë padi kundër Ministrisë së Shëndetësisë për shkelje të Ligjit të Punës… Padinë do e ushtrojmë në njërën prej gjykatave me siguri në atë në Prishtinë për shkak se qysh para vitit të ri kolegët nga Këshilli i Specializantëve kanë pasur një takim me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi për çështjen e kthimit të të gjithë specializantëve me vetëfinancim në formë të specializantëve me pagesë të rregullt, e i cili kolegëve tanë iu ka premtuar se kjo do të mund të realizohet shumë shpejt në janarin e hershëm dhe e ka konsideruar këtë si një çështje teknike por tash e këto ditë nuk kemi ndonjë lëvizje nga ana e Qeverisë me gjithë protestat që kemi organizuar dhe një marsh protestues që e kemi pasur, reflektimi nga ana e Qeverisë ende mungon”, theksoi Çerkini.
Urim Çerkini i cili aktualisht është specializant në Klinikën e Reumatologjisë në QKUK thotë se për shkak të kushteve jo të mira shumë specializantë po ikin nga Kosova.
Ai për KosovaPress ka deklaruar se mjekët e rinj që po kryejnë specializimin me vetëfinancim po dëmtohen edhe më shumë me pagesat e ulëta për kujdestaritë.
“Lëre që nuk ka paga për specializantët me vetëfinancim por tani dëmtohemi edhe me çështjen e pagesave të kujdestarive andaj sa më shpejt që të rregullohet kjo çështje aq më mirë do të jetë edhe për funksionimin e specializantëve ashtu edhe në mbarëvajtjen e punës në Klinikat e QKUK-së. Kur kemi parasysh se edhe një numër mjaft i madh i kolegëve tanë janë në ikje e sipër. Vetëm në Klinikën e Reumatologjisë ku unë specializoj nga nëntë specializantë, dy veçse kanë ikur në Gjermani, po ashtu edhe në Klinikën e Pulmologjisë ku tani jam rezidentë edhe aty kanë ikur 10 specializantë. Kur kësaj i shtojmë edhe pengesat që mjekët e rinj hasin për tu punësuar atëherë kjo do të ishte një shenjë alarmuese për MSh-në”, u shpreh ai.Teksti vazhdon pas reklamës
Urim Çerkini, i cili është edhe specialist i Mjekësisë Familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, thotë se ka vonesa për subvencionet që u jepen nga Qeveria specializantëve me vetëfinancim.
Ai thotë se duke mos parë reagim nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë karshi telasheve të tyre është rritur edhe mllefi dhe dëshira e mjekëve të rinj për ta lënë Kosovën.
“Subvencionet herë pas here nuk dalin me kohë, gjë që paraqet vështirësi shtesë në funksionimin e mjekëve si specializantë në të njëjtën kohë ato vështirësi barten edhe në funksionimin e tyre si kolegët e specialistëve në klinika përkatëse… Pritja jonë nuk është që 3-4 muaj por ka më shumë se një vit që presim, ndërsa arsyetimet e Qeverisë kanë qenë se ‘ne këtë gjendje e kemi gjetur në shëndetësi me numrin e specializantëve’, por kjo nuk është arsye për mosveprim të Qeverisë kur dihet se për shumë fusha të tjera gjenden mjete e subvencione nga buxheti ndërsa për mjekët nuk gjenden, andaj është shumë i drejtë mllefi që shprehin mjekët dhe ikja e tyre që nuk ka të ndalur”, theksoi Çerkini.
Sipas tij, specializantët me vetëfinancim detyrohen që të mbajnë nga dy puna me qëllim të avancimit profesional dhe kjo për ta, siç tha ai, është vështirësi sidomos kur edhe familja varet prej tyre.
“Është shumë e vështirë sepse shumica e kolegëve janë edhe familjarë mbajnë familje në të njëjtën kohë mbajnë dy puna si rasti me mua dhe shumë kolegë të tjetër dhe angazhimi në specializim si punë dytësore domethënë paraqet vështirësi”, theksoi ai.
Pagesat për kujdestari për specializantët e rregullt dhe me vetëfinancim kanë filluar të bëhet që nga janari i këtij viti.
Në fund të vitit të kaluar specializantët e të gjitha Klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës me financim nga Ministria e Shëndetësisë por edhe ata të cilët janë me vetëfinancim kanë mbajtur disa protesta. Kërkesë kryesore e tyre ka qenë që atëherë kthimi i tyre nga specializantë me vetëfinancim në të rregullt dhe pagesa e kujdestarive sidomos të atyre të vikendit.