Spanja arreston marokenin që e lavdëroi vrasjen e mësuesit francez e bëri thirrje për sulme tjera
Një burrë maroken është arrestuar në Barcelonë pasi e lavdëroi vrasjen e mësuesit Samuel Paty afër Parisit dhe bëri thirrje për sulme tjera.
Ky person, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, u ndalua të premten pasi publikoi mesazhe në rrjetet sociale në përkrahje të vrasjes që ndodhi më 16 tetor, kur mësuesit Samuel Paty iu pre koka nga një i ri me prejardhje çeçene.
“Policia ka arrestuar një burrë me kombësi marokene për krimin e dyshuar të lavdërimit të terrorizmit dhe nxitjen për kryerje të krimeve terroriste”, thuhet në një deklaratë të policisë katalane, të publikuar në rrjete sociale.
I dyshuari u paraqit në një gjykatë në Barcelonë të shtunën dhe u la i lirë me kushtin që ta dorëzojë pasaportën dhe të paraqitet në gjykatë për çdo 14 ditë, njoftoi policia.
Pas sulmit afër Parisit, Franca këtë javë u përball edhe me një sulm tjetër në Nice, ku një sulmues vrau tre persona dhe plagosi disa të tjerë.
Sulmet erdhën në kohën kur zemërimi i myslimanëve ndaj Francës po rritet për shkak të publikimit të karikaturave të profetit Muhamed dhe këmbënguljes së saj për të mos u zmbrapsur nga ky veprim.
Ministrat francezë kanë paralajmëruar se sulme të ngjashme mund të ketë përsëri, ndërsa presidenti Makron ka angazhuar mijëra ushtarë për t’i mbrojtur objektet fetare dhe shkollat.