Spahiu: Nëse Kurti nuk arrin t’ia bëjë 8 me 2 Mustafës, si do t’ia bëjë Vuçiqit
Nexhmedin Spahiu, analisti politik, ka thënë se deklarata e Ish-ministrit Ivan Teodosijeviq për masakrën e Reçakut, është ofendim i viktimave.
“Ne në Kosovë kemi çdo ditë ofendime mbi baza etnike, racore, fetare, dhe për këto nuk ndërmarrin asgjë organet kompetente. Dënimi me dy vjet për ish-ministrin Teodosijeviq tingëllon pak vrazhdë për ne, pasi nuk na ngihet zemra edhe me ia jap dënim 200 vjet burgim”.
“Për kallëzimin penal që është ngritur ndaj Aleksandar Vuçiqit duhet të flas dikush që është jurist dhe i kësaj fushe, nëse dikush e mohon masakrën e Reçakut, nëse dikush i quan terroristë viktimat, unë ndjehem i ofenduar natyrisht, besoj që edhe shumica e qytetarëve ndjehen të ofenduar me këto deklarata, atëherë ai që i kundërvihet kësaj bën një gjest patriotik, të paktën për mua ky është një vlerësim. Tash sa është profesional ky veprim duhet të flasin njerëz të fushës juridike”.
Spahiu në emisionin Info Magazine në Klan Kosova ka deklaruar edhe se LDK-ja dhe VV-ja kanë të drejtë të kërkojnë më shumë secila në koalicionin që pritet ta formojnë.
“Të dy parët kanë të drejtë, ky është një treg ku secili dëshiron të përfitojë më shumë, secili natyrisht i beson më shumë vetes sesa partnerit. Duhet të ketë një besim, siç është rasti tash i koalicionit për qeverisjen e ardhshme, e natyrshme që secili i beson më shumë vetvetes”.
“Deri tek kjo situatë ka ardhur për shkak të ofertës parazgjedhore që i i ka bërë Albin Kurti LDK-së për një koalicion parazgjedhor, të cilin LDK-ja e ka refuzuar. Fakti që kjo parti e ka refuzuar këtë koalicion dhe ka thënë që të shohim se tani kush do të prijë e tani vendosim, rregullat e lojës kanë ndryshuar. Albin Kurti nuk mundet të ofrojë të njejtën gjë sikur atëherë kur nuk e ka ditur nëse do të fitojë, sikur tani që ka fituar”.
“Nëse LDK-VV do të bënin një koalicion parazgjedhor, ata pas zgjedhjeve do të siguronin sipas mendimit tim 80 deputetë edhe nuk kishin me pas problem për ligjet që duhet të miratohen me dy të tretat, edhe për shumë gjëra tjera, për reforma radikale, gjë që të cilat tani i pamundësohen kësaj qeverie, sepse kurdo që i duhen dy të tretat e votave duhet ta lusë edhe opozitën”.
“Zakonisht Ministria e Jashtme është ajo që vjen e dyta për kah rëndësia, pastaj nuk mundesh me zgjedhë edhe të dytën edhe të tretën, nëse duan ndarje 50 përqind me 50 përqind. Fakti që tash LDK-ja kërkon me pas presidentin është një gjë normale nga ana e LDK-së, dhe po ashtu është normale edhe nga ana e VV-së që nuk ua jep këtë post”.
“Ky është një treg normal që palët do të bëjnë lojë nervash. Albin Kurti dhe VV-ja edhe para zgjedhjeve nuk është treguar e shkathët në negociata. Isa Mustafa ka më shumë përvojë në negociata, kjo është shumë e rëndësishme për neve si shoqëri sepse kush do të na përfaqësojë nesër në negociatat me Serbinë, nëse ai nuk është në gjendje t’ia bëjë 8 me 2 Isa Mustafës, atëherë si do të jetë në gjendje t’ia bëjë Vuçiqit”, ka thënë Spahiu. /FaktePlus