Sozia e presidentit rus: Për shkak të luftës me Ukrainën perceptimi im për Putinin ndryshoi
Sozia e presidentit Vladimir Putin ka thënë se ka frikë për sigurinë e tij pasi udhëheqësi rus nisi një operacion ushtarak në Ukrainë.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Slawek Sobala, një 53-vjeçar që jeton në Wroclaw të Polonisë, e pranon se ndihet i tensionuar që kur Putini dha urdhrin për një “operacion special ushtarak” në Ukrainë.
Në Wroclaw rreth një në çdo dhjetë banorë është ukrainas, sipas Evropës së Re Lindore.
Slawek ka frikë se ukrainasit në vendlindjen e tij, së bashku me protestuesit e tjerë kundër situatës, do të kthehen kundër tij dhe do të kërcënojnë sigurinë e tij.
“Para luftës nuk kisha frikë për sigurinë time në rrugë, por tani kur filloi lufta, kur Putin sulmoi Ukrainën, kam pak frikë, sepse në qytetin tonë Wroclaw, ka shumë njerëz nga Ukraina që punojnë dhe jetojnë këtu”, tha ai.
“Ka ndodhur shumë herë kur këta njerëz më kanë thënë se dukem si Putini dhe tani për shkak të luftës kam pak frikë se këta njerëz mund të jenë të zemëruar ose agresivë kur të më shohin”.
Sobala i cili foli kryesisht përmes gruas së tij – e cila është më e mirë në gjuhën angleze – është një personazh i gëzuar dhe këmbëngul se nuk i hyri kësaj pune për para, pasi puna e tij i lejon atij “të shohë botën”.
Ai drejton një kompani transporti si punë ditore dhe nuk tregoi se sa fiton si imituesi i Putinit.
Siç bëhet e ditur, 53-vjeçari përfaqësohet nga Agjencia Lookalikes me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Kam punuar për tetë vjet si imitues i Putinit dhe gjatë kësaj kohe kam regjistruar shumë video dhe punë të tjera”.
“Ishte një punë e mirë, dhe para të mira për këtë lloj pune, por kjo nuk është puna kryesore që kam”, tha ai.
“Unë drejtoj një kompani transporti, puna tjetër më ofron të ardhura shtesë”.
Ai dhe gruaja e tij Dorota kanë vizituar shumë vende gjatë kohës së Slawek-ut si sozi e Putinit. Ata kanë qenë disa herë në Londër, SHBA, Hong-Kong, Macau dhe sigurisht në Rusi.
Por opinionet e tij për Vladimir Putinin kanë ndryshuar kohët e fundit që kur ai pushtoi Ukrainën.
“Për shkak të luftës me Ukrainën, perceptimi im për Putinin ndryshoi”, tha Slawek.
“Kisha shumë respekt për të, por tani mendoj se ky njeri bëri shumë dëm dhe nuk e di se si do ta luaj rolin e tij në të ardhmen”.
“Unë qëndroj përkrah Ukrainës në këtë situatë. Mendoj se ata duhet të luftojnë”.