Sot vendoset nëse do të mbahen zgjedhjet në Podujevë
Data për të zgjedhur të parin e Podujevës është e caktuar që të mbahet nesër, por arritja e koronavirusit në Kosovë do të mund të bëjë që ato të anulohen.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, dje ka thënë se pas konfirmimit të dy rasteve me koronavirus në Kosovë, nesër ata do të mblidhen për të marrë një vendim rreth kësaj çështje.
“Nesër do të takohemi dhe do ta shqyrtojmë situatën përsëri dhe do ta konfirmojmë se a do të mbahen ose jo. Do t’i njoftojmë qytetarët e Podujevës dhe ata që do të jenë ditën e diel të angazhuar lidhur me zgjedhjet”.
“Konsideroj se zgjedhjet duhet të mbahen sepse situata nuk është alarmante. Nuk ka pasë mundësi që të kenë kontakt me qytetarët nga Podujeva ata që janë konfirmuar si të prekur. Do të jemi në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë, nesër do të flasim edhe me ta edhe me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë dhe pasi të konsultohemi me ta do të jem në gjendje që ta dimë saktësisht se a do të kemi zgjedhje ose jo. Kjo do të ndodhë nesër gjatë ditës sepse ende ka mundësi që të bisedohet”, ka thënë ajo për klankosoven.
Para se të konfirmohen dy rastet e para me koronavirus, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, i ka dërguar KQZ-së disa rekomandime, të cilat duhet të ndërmerren gjatë ditës së votimit në qendrat e votimit dhe në vendvotime. Pra, këto rekomandime/udhëzime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i përcjellë te menaxheret e qendrave të votimit, anëtarët e këshillave të vendvotimit dhe te stafi tjetër që do të angazhohet në këto zgjedhje.
Ndërkaq, shteti fqinj, Maqedonia e Veriut, nuk do t’i shtyjë zgjedhjet e 12 prillit, pavarësisht disa rasteve të konfirmuara me këtë sëmundje. Megjithatë, fushata atje do të zhvillohet përmes mediave. Po ashtu edhe Serbia i ka caktuar zgjedhjet më 26 prill./FaktePlus