Sot u bëhen analizat për COVID-19 24 personave nga Kamenica
Komuna e Kamenicës ka aktualisht 26 persona të infektuar me koronavirus. Tre persona nga janë shëruar plotësisht. Zëdhënësja e kësaj komune, Margarita Rashiti tha për Gazetën Express se sot janë marrë 24 mostra të tjera për testim në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Më 30 mars 2020 është shënuar rasti i parë pozitiv me koronavirus në komunën e Kamenicës.
Personi i infektuar është nga fshati Topanicë, i cili kishte ardhur nga Gjermania,i cili edhe pas ritestimit të parë ka rezultuar pozitiv, por që sipas komunë së Kamenicës gjendja e tij është stabile
Zëdhënësja e komunës së Kamenicës, Margarita Rashiti tha se deri më tani janë 26 raste pozitive në Kamenicë.
“Aktualisht kemi 26 persona të identifikuar si raste pozitive dhe tre prej tyre janë shëruar plotësisht. Gjendja e të prekurve me virusin SARS-CoV-2 në komunën tonë është stabile.”, tha ajo.
Rashiti tha se sot janë marrë edhe 24 mostra të tjera për testim me Covid-19 nga kjo komunë.
“Sot janë marrë 24 mostra nga komuna jonë dhe besojmë që sonte do të kemi rezultatet nga IKShP, për të cilat shpresojmë se do të jenë negative”, tha ajo.
Ndërkaq ditën e djeshme ka pasur një rënie të të prekurve me koronavirus në nivel vendi pas testimit të 191 mostrave nga IKSHPK’ja, me vetëm 6 raste pozitive.
Nga data 08 shkurt deri më 21 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.200 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 604 raste, ndërsa 18 raste kanë ndërruar jetë të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Kurse numri i të shëruarve nga Covid-19 në Kosovë është 128 persona.
Sipas shifrave zyrtare të IKSHPK’së deri më tani janë nën mbikëqyrje gjithsej 6514 raste të kontaktit me të infektuar në Kosovë.