Sot takohen Thaçi e Kurti, sërish pritet t’i shfaqin synimet e kundërta
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar nisjen e bisedimeve me partitë politike për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Nisma e tij, pason votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti.
Përmes një njoftimi për media dërguar nga presidenca ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të ketë konsultime me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
“Pas shkarkimit të Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës, më 25 mars, do të marrë hapa gjithnjë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës dhe me detyrat si President i Republikës së Kosovës”, citohet të ketë thënë Thaçi.
E lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është i ftuari i parë nga presidenti i Kosovës, në kuadër të procesit të konsultimeve me partitë politike, pas gjendjes së krijuar nga votimi i mocionit për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.
Në ftesën e presidentit Thaçi thuhet se ia ka bërë ftesë Kurtit, si fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit dhe e pret për konsultime në Presidencë, skruan FaktePlus.
“Pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë do të ndërmarr hapat e përcaktuar në Kushtetutë. Në këtë drejtim, ju ftoj që të merrni pjesë në takimin konsultativ për të diskutuar hapat e mëtejshëm”, thuhet në këtë ftesë.
Më tej në shkresën e Presidentit dërguar Kurtit shkruan se takimi do të mbahet më 01.04.2010, duke filluar nga ora 10:00, në Kabinetin e Presidentit të Kosovës.
Mirëpo, Albin Kurti e ka përjashtuar mundësinë që të nisin konsultimet për qeverinë e re, duke kërkuar që qeveria e tij të vazhdojë punën deri në përmbylljen e fazës së pandemisë së shpallur pas përhapjes së koronavirusit të ri.
Madje nga Lëvizjes Vetëvendosje konsiderojnë se deklaratat e presidentit Thaçi janë jokushtetuese dhe se vendi pas pandemisë së COVID-19, duhet të shkojë në zgjedhje.
Sido qoftë kryeministri Kurti dje konfirmoi se do të shkojë në takim tek presidenti Thaçi dhe mandej do të sqarohet me të e opinionin për situatën e krijuar.
Kujtojmë se pas votimit të mocionit të mosbesimit nga ana e 82 deputetëve të Kuvendit, Kosova po qeveriset nga një qeveri në detyrë.
Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti ishte iniciuar nga partia partnere e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare./FaktePlus