Sot skadon afati- A do të merr vendim Gjykata Kushtetuese për pagat në Kosovë?
Gjykata Kushtetuese e Kosovës në muajin mars pati vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020. Kjo bëri që zyrtarët publikë mos t’i marrin rrogat e rritura sipas Ligjit të pagave i cili ishte miratuar gjatë vitit 2019.
Por sot mijëra punëtorët do të marrin një përgjigje për fatin e pagave të tyre në shumë sektore shtetërore.
Gjykata kishte vendosur njëzëri vazhdimin e masës së përkohshme në rastin KO219/19 të parashtrauar nga Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.
Punëtorët shëndetësorë mund të jenë përfituesit më të mëdhenj nga ky ligj ngase do të kishte rritje të madhe pagash për të gjitha kategoritë në shëndetësi.
Punëtorët e Arsimit, Policët, zjarrfikësit, stafi civil dhe shumë kategori të tjera do të përfitonin nga ky ligj.
Arsyeja e shyrjes së deritashme sipas Gjykatës ka të bëjë me faktin që Gjykata Kushtetuese, pas caktimit të masës së përkohshme, ka pranuar një vëllim të konsiderueshëm të dokumenteve dhe të komenteve të dorëzuara nga palë të ndryshme të interesuara, të cilat duhet të trajtohen në raport me pretendimet e ngritura dhe me dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore.
Arsyeja e dytë për vazhdimin e masës së përkohshme, thuhet në njoftim është volumi jashtëzakonisht i madh i materialeve të pranuara nga Komisioni i Venecias dhe gjykatat kushtetuese/supreme pjesë përbërëse të Forumit të Komisionit të Venecias.
Ligjin për paga, më 6 dhjetor të 2019 në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhet “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.
Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të vitit 2019 në Kuvendin e Kosovës.
Ky ligj rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë./FaktePlus