Sot shqyrtohet raporti për Kosovën në Këshill të Evropës
Sot do të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, ku pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në KiE.
Raporti i raportueses do të diskutohet dhe votohet nga Asambleja Parlamentare. Më pas, do të duhen 2/3 e votave për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KiE.
Kosova shpreson që ta ketë anëtarësim të shpejtë në këtë organizatë.
Vendimmarrja e Këshillit të Evropës do të vihet në lëvizje pasi Qeveria e Kosovës i kërkoi Agjencisë Kadastrale t’ia bartë Manastirit të Deçanit pronën afro 24-hektarëshe, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Zbatimi i vendimit që ishte nxjerrë në vitin 2016 përbën një nga kushtet kryesore që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
Kështu tha kryeministri Kurti, në njoftimin e tij ku bëri të ditur se ka kërkuar të zbatohet ky vendim. Për zbatimin e vendimit, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022. Më 24 prill 2023, aplikacioni i ishte përcjellë për konsultim sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Si rezultat i kësaj, me propozim të Presidentit, Asambleja Parlamentare caktoi juristët për ta përpiluar raportin për Kosovën.
Ky raport do t’i shërbejë Asamblesë Parlamentare në hartimin e opinionit për Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.
Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, Kosovës i duhet mbështetja prej dy të tretave.
Demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligji janë tri vlerat kryesore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.