Sot pritet të nis protesta në Kamenicë, nuk përjashtohet as greva
Fillimi i kësaj jave në shkollat e Komunës së Kamenicës pritet të nis me protesta, por nuk përjashtohen as greva nga mësimdhënësit, e të cilët po mbështeten edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).
Këtë e ka konfirmuar për FaktePlus, dje kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Ai ka thënë se gjendja në shkollat e Kamenicës është alarmante, sidomos në katër shkollat që janë përmendur se do të mbyllen nga kryetari Qëndron Kastrati.
“Ne i kemi vizituar këto shkolla, atje gjendja është e rëndë. Kemi parë që shkolla e Busavatës, e cila ka 117 nxënës po tentohet të baret në Kamenicë së bashku me tri shkolla tjera. Kjo nuk është e munduar, sepse janë në pyetje shumë kilometra larg qendrës. Nëse ndodh kjo, fshatrat malore do të detyrohen të lëshojnë vendet e tyre për të qëndruar afër fëmijëve, sepse udhëtimi për ta do të jetë i pa mundur”, ka thënë ai.
Vendimin e kryetarit Qëndron Kastrati për të riorganizuar procesin mësimor atje, po vazhdojnë ta kundërshtojnë me këmbëngulje mësimdhënësit.
Jasharaj ka pohuar se dita e sotme në Kamenicë mund të sjellë protesta dhe përplasje me pushtetin aktual, si kundërshtim për mbylljen e shkollave.
Ai ka shtuar SBASHK-u e ka lajmëruar edhe MASHT-in, por kjo ministri po e pranon në heshtje atë që po bënë kryetari Kastrati.
Jasharaj ka theksuar se Komuna e Kamenicës në shenjë ndëshkimi nuk u ka dërguar tekstet shkollore shkollave që ka bërë plan ti mbyll.
“Po bëhet java e tretë ku mësimi atje nuk është duke u zhvilluar normal, ku nxënësve që janë në këto shkolla në shenjë dënimi nga komuna, po u mungojnë edhe tekstet shkollore që i ka botuar shteti i Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Jasharajt, heshtja e ministrit Shyqeri Bytyqi përball këtij problemi po bëhet jo rastësisht dhe për të mbuluar vendimin kontrovers të kryetarit Kastrati, shkruan FaktePlus.
“Me një situatë të tillë SBASHK-u do të jetë pranë kolegëve e nëse ata bëjnë protesta ose greva ne do t’i përkrahim ku do të kërkojmë mbështetje edhe nga e tërë Kosova. MASHT-i po heshtë sepse Ministri Bytyqi që asnjëherë nuk ishte ministër i vërtetë e që tash aderoi pikërisht në partinë që i takon edhe kryetari Qëndron Kastrati. Pra, në këtë situatë MASHT-i do të duhej të vendoste se a do të mbyllen ato shkolla apo jo”, ka thënë ai.
Kryesindikalisti ka shtuar se nga komunikimi me drejtorët e shkollave në Kamenicë ka kuptuar se kryetari Kastrati ka filluar edhe me ndëshkime ndaj mësimdhënësve, duke i kërcënuar se do t’i lë pa punë ata që ngritin zërin./FaktePlus