Sot një vit, Kosova u bë me Ushtri
Shkruar nga Basri Shala – Virusi
Në këtë përvjetor dy gjëra po më kujtohen.
E para fjalimi antologjik i kryeministrit Ramush Haradinaj, për rreshtin, dhe e dyta koha e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për të parën s’kam çka të shkruaj, vetëm se vazhdoj të mendoj se është fjalimi më i mirë e më domethënës që e kam dëgjuar. Në një fjalim aq të shkurtër, ai e pati përmbledhur krejt historinë tonë.
E historia jonë për mua i ka dy toteme. E para është lufta e Gjergjit dhe e dyta lufta e UÇK-së.
Të parën e kemi lexuar, e të dytën e kemi jetuar.
Edhe pse në mes vete kanë 6 shekuj, ato e patën të njëjtin synim e qëllim. Çlirimin. Por, edhe futjen në rreshtin e ushtrive të botës. Të dyja ishin çlirimtare, të dyja ishin popullore.
Të ndalem tek e dyta, pra lufta e UÇK-së.
Vërtetë ishim pakicë. Mbase më pak se pakicë, ishim minoritet, do të thoshte heretiku. Krahasuar me listat e publikuara menjëherë pas lufte, mbase ishim të barabartë në numër me listën e shqiptarëve që punonin në strukturat e Serbisë.
Por, u rritëm, e për ditë po rritemi. Ishim 13 mijë, u bëmë 24 mijë. Pastaj 35 mijë. Rritja vazhdon. 40 mijë, 50 mijë, dhe së fundi 66 mijë.
Edhe pse u rritëm, në proporcion me numrin e popullsisë përsëri mbesim pakicë. Sepse prej 1.5 milion, 66 mijë janë shumë pak. Heretiku ka të drejtë.
E kam lexu diku, dhe po mundohem ta kujtoj. Për këta që u futen në lista pas lufte. Veteran nuk të bën as pensioni 180 euro e as certifikata e blerë.
Veteran të bën diçka tjetër.
Kur bie shi, veteranit i kujtohen ditët me shi në luftë. I kujtohet kur “uniforma” lagej e thahej në trupin e tij, e ai as që e kishte mendjen aty. Veteran nuk të bën libreza që e bleve për një votë, ose për një pagë. Veterani i luftës, kur bie borë i kujtohet koha e luftës në dimër, kur s’kishte as dorëza, dhe nuk e kishte hallin tek morthi, i cili ia kishte nxirë gishtat, por hallin e kishte a do t’i shkrepte pushka.
Veteran nuk të bën letra e kornizuar që e ke varur te Televizori o i shkretë. Veterani i vërtet ka ankthe. Ai se bën gjumin si ti.
Maca nëse kalon, dhe rrapëllinë jashtë, veterani i vërtet nuk struket, por del jashtë me nxitim, sepse edhe sot pas 21 vjetëve ai jeton me atë ankth.
Desha të shkruaj edhe më gjatë, por më kapen ankthet, sepse edhe tash që dielli po nxeh, mua po me kujtohet koha e luftës.
Kosovë urime Ushtria!