Sot një muaj nga zgjedhja e Hotit kryeministër, LVV thotë se është qeveri jo legjitime
Deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci dhe Hajrulla Çeku, kanë mbajtur sot një konferencë për media, me ç’rast e kanë kritikuar Qeverinë Hoti në njëmujorin e themelimit të saj.
Nagavci ka thënë se Qeveria Hoti është e varur nga Lista Serbe dhe se Kosova nuk mund të trajtohet e barabartë në dialog me Serbinë nëse hyn në të me kushte të pabarabarta.
“Kjo konferencë është thirrur në ditën që është bërë një muaj prej se është votuar kjo qeveri jolegjitime. Sot një muaj u votua kjo qeveri që e përjashton fituesin e zgjedhjeve. Sot kjo qeveri ka 59 vota në Kuvend; ndërsa 2 vota të kontestuara i ka në procedurë të Kushtetueses”. tha ajo.
Nagavci shtpi se kjo qeveri e faktorizoi Listën Serbe, ndërsa është e krijuar për t’i shërbyer Thaçit, i cili mundësoi këtë qeveri duke trokitur nëpër dyert të deputetëve pas mesnatës.
“Një ndër vendimet e para e Hotit ishte heqja e reciprocitetit, pra vullnetarisht u heq dorë nga mundësia për të qenë palë e barabartë. Derisa Kosova vazhdon të bëjë lëshime karshi Serbisë, kjo e fundit nuk e ndërpret fushatën për ç’njohje ndaj Kosovës”.
“Hyrja në dialog me kushte të pabarabarta, nuk mund ta nxjerrë Kosovën si të barabartë. Qytetarët nuk kanë votuar për nënshtrim ndaj Serbisë”.