Sot nis gjykimi për të akuzuarit për sulmin në Banjskë
Një ditë pasi mbushet një vit nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, të mërkurën (sot) do të nisë gjykimi ndaj 45 të akuzuarve, që Prokuroria Speciale i ka identifikuar si përgjegjës të tentativës për ta aneksuar veriun e Kosovës.
Më 11 shtator, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe 44 personave të tjerë.
Ata akuzohen se me dhunë e me armatim të rëndë tentuan ta shkëpusnin pjesën veriore dhe t’ia bashkonin Serbisë.
Ndaj tyre rëndojnë veprat penale si “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.
Sipas aktakuzës, shteti i Serbisë ia vuri në dispozicion grupit të Radoiçiqit infrastrukturën ushtarake dhe i ofroi armë.
Po ashtu, në dokument theksohet se Radoiçiqi u fuqizua duke siguruar tenderë në vlerë rreth 100 milionë euro, shumica nga shteti serb, por edhe nga buxheti i Kosovës.