Sot mbyllen të gjitha kafiteritë e restorantet (gastronomia) në Kosovë
Nëse nuk hiqen kufizimet ndaj bizneseve të gastronomisë, sot në orën 12:00 në Kosovë të gjithë këto biznese do të mbyllen në mënyrë simbolike, në shenjë të pakënaqësisë.
Kafiteritë e restoratet, në fakt e gjithë gastronomia po këmbëngulin të iu zgjatet orari i punës, sepse ndryshe do të falimentojnë.
Ditë më parë përfaqësuesit e sektorit të gastronomisë, kanë organizuar një mbledhje për të diskutuar rreth ndikimit të kufizimit të qarkullimit dhe efektin e masave të fundit për bizneset.
Në këtë takim u theksua se mungesa e qytetarëve nga diaspora tashmë po ndikon në ekonominë e vendit dhe se zbatimi i kufizimit të qarkullimit dhe masave të tjera po ka ndikim negativ në ekonomi e veçanërisht në sektorin e gastronomisë.
“Dëshirojmë t’ju informojmë se në qoftë se nuk do të hiqen kufizimet, në bazë të kërkesës së anëtarëve dhe të përfaqësuesëve të sektorit të gastronomisë në mbledhje, u vendos që me datën 27.07.2020 (e hënë) në ora 12:00 që bizneset e sektorit të gastronomisë në mënyrë simbolike të mbyllin lokalet e tyre”, thuhej në njoftim.
“Në lidhje me këtë temë, kryetari Varis Xhejlani, bashkë me disa përfaqësues të sektorit të gastronomisë do të realizojë një mbledhje me Odën Ekonomike të Kosovës”, thuhej në fund të një njoftimit të bërë publik nga SHBZ “Esnaf”.
E tashmë kundër vendimeve të fundit të Qeverisë Hoti kanë dalë edhe përfaqësues të politikës. Madje jo vetëm nga opozita, por kundërshtime po bëjnë edhe ata të partive nga koalicioni qeverisës.
Kundër vendimeve të Qeverisë Hoti, duke ngritur shqetësimin e tyre dhe të partisë lidhur me sektorin e gastronomisë, janë edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti kjo e dyta më e madhe në koalicionin qeverisës.
Nga ky subjekt thonë se presin nga Qeveria e vendit që të angazhohet në rimëkëmbjen ekonomike, si dhe të trajtoj me seriozitet situatën aktuale, sepse sektori privat, veçmas Gastronomia është në prag të falimentimit, e Kosova nuk ka kapacitete ta përballojë këtë situatë./FaktePlus