Sot do të testohet personeli mjekësor që trajtoi 77-vjeçarin e infektuar me koronavirus
11 mjek e infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, përfshirë edhe drejtoreshën, që nga dje janë izoluar në një prej dhomave të QKMF’së, meqenesë kanë qenë në kontakt me ambientin ku është trajtuar 77-vjeçari, i cili dje u konfirmua se është i infektuar me koronavirus. Të gjithë këta pritet të testohen sot gjatë ditës.
Naser Ramadani nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik e ka konfirmuar se ekipet e IKSHP’së tashmë janë nisur për në Viti.
Njëri prej mjekëve i vetëizoluar në Viti shkaku se ka pasur kontakt me personin e prekur me koronavirus është ankuar më herët se askush s’është interesuar për fatin e tyre. Ka thënë se ende s’i ka kontaktuar askush nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për t’i testuar nëse janë prekur me COVID-19.
“Një pjesë që kemi pasë kontakt me pacientin e prekur me COVID-19 nuk jemi testuar dhe as ekzaminuar. Çdo vetizolim, çdo veprim e kemi bërë vullnetarisht, vetëm me përkrahjen e Komunës së Vitisë”, ka thënë njëri prej mjekëve për Express.
Për gjendjen shëndetësore të personit mjekësor ka folur sot edhe Drejtoresha e QKMF’së, Vjollca Kadolli, e cila poashtu gjendet në karantinë.
Ajo i ka thënë Gazetës Express se gjendja e stafit është e mirë dhe se deri tani asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur simptoma të koronavirusit.
Kadolli thotë se kanë qëndruar në dhomë gjatë tërë natës dhe se ditëve në vijim do të iu bëhen edhe atyre testet. Thotë se sipas informative që ka marrë, deri tani nuk ka ndonjë rast tjetër të dyshuar me koronavirus.
“Gjendja e stafit mjekësor është e mirë. Nuk kemi lëvizur fare nga objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Tërë natën kemi ndejtë në një dhomë. Sapo fola me doktoreshën, s’ka asnjë rast të dyshuar, pra gjendja është e mirë. Edhe neve do të na bëhen testet, pavarësisht se ne s’kemi pas kontakt me pacientin në fjalë, por vetëm me ambientin. Asnjëri prej nesh s’ka shfaq simptoma. Është bë edhe dezinfektimi i krejt objektit”, ka thënë Kadolli.
Ndryshe, dje rreth orës 17:30, janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në Kosovë, derisa sot është konfirmuar edhe rasti tretë.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë të jashtëzakonshme.
Sipas ministrit Arben Vitia bëhet fjalë për një vajzë të moshës 20 vjeçare, shtetase e Italisë dhe një burrë të moshës 77 vjeçe, nga Komuna e Vitisë.
Në konferencën ku u konfirmuan këto dy raste, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin, të qëndrojnë mbi 1 metër larg kur takohen dhe që t’i pastrojnë duart me ujë të ngrohtë mbi 30 sekonda.
‘Parandalimi është gjithcka. Le ta ruajmë vetën dhe njëri-tjetrin, që dy rastet e konfirmuara të mos shtohen. Të bëjmë kujdes maksimal që të mos iu bashkangjitemi vendeve të tjera që po raportojnë për mortalitet”, ka thënë Kurti në konferencë./FaktePlus