Sot arriti në Tiranë, nesër pushim dhe të dielën flet në Prishtinë pas ngritjes së aktakuzës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëtuar nga Vjena dhe tashmë ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Nëna Terezë” në Tiranë.
Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se vetëm të dielën do t’u drejtohet qytetarëve për gjithë atë që ndodhi këtë javë.
“Motra dhe vëllezër. Miq të dashur. Sapo kam zbritur në Aeroportin ‘Nëna Terezë’ në Tiranë, ndërkaq, të dielën në mbrëmje do t’ju drejtohem me një fjalë nga zyra ime. Ju uroj një fundjavë të qetë dhe mbetem me shpresë të plotë se ditët më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar i kemi përpara. Gjithmonë i juaji, deri në fund”, ka shkurar Thaçi në Facebook.
Të mërkurën, Gjykata Speciale ngriti aktakuzë ndaj tij dhe kreut të PDK-së, mirëpo që nga atëherë nuk ka folur publikisht për këtë.
Thaçi në momentin e publikimit të propozim-aktakuzës ishte rrugës për në Washington. Por, u kthye prapa dhe bisedimet e parapara me delegacionin serb u anuluan.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, e njoftoi publikun të mërkurën se më 24 prill ka paraqitur në Dhomat e Specializuara një aktakuzë për shqyrtim, e cila ngarkon presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit dhe deputetin aktual të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe persona “të tjerë” me krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe torturë./FaktePlus
LAJMI I FUNDIT: Arrin në Tiranë presidenti Thaçi, sapo ka zbritur nga aeroplani