Sonte fillon La Liga, me një rekord 1.2 miliardësh
La Liga numër 89 është në start. Ajo e ngre siparin sonte në Bilbao, ora 21:00, me Athletic-Barcelona. Nëse e shikoni në këndvështrimin e tregut, është edicion rekord, pasi klubet spanjolle kanë shpenzuar deri më tani më shumë se 1.2 miliardë euro për blerje të reja, duke tejkaluar miliardat e harxhuara për të njëjtën gjë në sezonin 2018-2019: plot 900 milionë euro. Sidomos dy klubet e Madridit janë rikthyer të shpenzojnë fuqishëm, me Realin mbi 300 milionë euro, ndërsa Atletico mbi 240 milionë euro. Në mes tyre qëndron Barcelona, me 255 milionë euro.
Katalanasit janë përforcuar me Griezmann nga Atletico Madrid (120 mln) dhe De Jong nga Ajax (75), përveç talentit të ri, Junior Firpo. Paradoksalisht, çështja “Neymar” i përplaset ende në fytyrë teknikut Valverde, i cili do të gjendej në vështirësi për t’i gjetur vend brazilianit, kur kampionati fillon sot. Me pak fjalë, Barça është favoritja kryesore për titullin. Për atë që kemi parë deri më tani (fitorja në derbi dhe ndaj Juves), Atletico e re e Simeone duket e ndërtuar më mirë.
Me talentin João Felix, ish-lojtarin e Benca, 19 vjeç, i përfshirë tashmë në sulmin e “rojiblancos”, në vend të Griezmann, Atletico Madrid pret gola të shumtë edhe nga Diego Costa e Morata. “Cholo” zgjodhi Marcos Llorente nga kushërinjtë e Realit (30 mln), mbrojtësin Mario Hermoso nga Espanyol (25) dhe ish-lojtarin e Corinthians e Porto, Felipe (20). Kështu, ai që parashikoi “arratisjen” e Lucas Hernandez te Bayerni dhe Rodri te “qytetarët” e Guardiolës, përveç lamtumirës së Godin të vjetër, Filipe Luis dhe Juanfran, ia ka dalë t’i mbushë boshllëqet.
Reali i Zidane ende duket një mjegullnajë. Shumë ndryshoi me ardhjet e Eden Hazard (100 mln), Joviç (60), Eder Militão (50), Mendy (48) dhe Rodrygo (45), por ka në përbërje ende “teprica” si Bale, James apo Mariano Diaz, ndoshta edhe Isco. “Zizou” donte Pogba, por ai ende nuk ka arritur. Të bardhët pësuan 18 gola në 7 miqësore, me trajnerin francez që provoi mbrojtjen me 3 qendrorë. Të vetmet siguri deri më tani janë Benzema “i vjetër” dhe Casemiro.
Pra, si zakonisht, duket se tri vendet e para të La Liga-s do të diskutohen mes këtyre skuadrave. Për vendin e 4-t, sepse nga viti 2012, tre të mëdhenjtë nuk zbresin nga podiumi, janë në garë Valencia dhe Sevilla. Sidoqoftë, Valencia është në prag të humbjes së Rodrigo (e kërkon Atletico Madrid për 60 milionë euro) dhe marrjes së André Silva nga Milani. Nga ana tjetër, ajo fitoi goleadorin e fuqishëm, Maxi Gomez, nga Celta, portierin Cillessen, Jaume Costa nga Villarreal dhe Mangala, ishmbrojtësin e Manchester City. Drejtori sportiv, Monchi, ka shpenzuar 144 milionë euro për Sevilla. Megjithatë, ka shitur Ben Yedder për 40 milionë euro te OM. Prurjet e reja janë Diego Carlos, ish mbrojtës i Nantes, Koundé nga Bordeaux, Dabbur i Salzburgut dhe Luuk de Jong i PSV. Për ta harmonizuar grupin ka kaq shumë punë për trajnerin e ri, Julen Lopetegui.
Skuadrat e tjera? Betis ishte një nga surprizat e sezonit të kaluar, por ka humbur Lo Celso (shkoi te Tottenham). Nënshkroi me Borja Iglesias nga Espanyol për 28 milionë euro, një golashënues me 17 gola në sezonin e tij të parë në La Liga, apo ish-lojtarin e Lyon, Fekir, krijues i shkëlqyeshëm, dhe Juanmi nga Real Sociedad. Në mesfushë, me William Carvalho, Canales dhe Guardado ka vërtet cilësi. Surpriza Getafe, që u rendit në vendin e pestë të sezonit të shkuar, e ka përforcuar veten vetëm me Enric Gallego nga Huesca, ish-bomber i “Segunda” me Extremeadura, dhe Cucurella, qendërmbrojtës shpresëdhënës, i huazuar nga Barça.
Espanyol, klubi i fundit iberian në Europë, ka humbur dy kolona si Borja Iglesias (Betis) dhe Hermoso (Atletico), por ka bërë bast për argjentinasin Vargas, Iturraspe (Athletic) dhe Calero (Valladolid). Sidoqoftë, duket se është dobësuar. Surpriza mund të ishte Real Sociedad i Isak të ri (Dortmund), Ødegaard, Januzaj dhe Oyarzabal. Kjo është “linja jeshile” e trajnerit Imanol. /FaktePlus