Sondazhi: 37.67 për qind e qytetarëve e mirëpresin propozimin për tërheqjen e kursimeve nga Trusti
Zhvillimet e fundit sa i përket Pakos Emergjente, e cila ende nuk është zbatuar në tërësi, ka ngjallur reagime të shumta nga qytetarët. Duke pasur këtë parasysh, kompania e hulumtimeve Pyper ka realizuar një hulumtim lidhur me këtë fond, duke përfshirë këtu edhe temat e rimëkëmbjes ekonomike si dhe mundësinë e tërheqjes së parave nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Sondazhi i realizuar është kryer me një mostër jo të rastësishme me rreth 1,000 persona anembanë Kosovës, ku kanë marrë pjesë qytetarë të kategorive të ndryshme që përputhen me kriteret e Pakos Emergjente për të përfituar ndonjë lloj ndihme. Më saktësisht, kanë marrë pjesë qytetarë që janë punëdhënës në vështirësi si rezultat i COVID-19, përfitues të skemave sociale/pensionale, punëtorë të sektorit publik dhe privat gjatë kohës së shfaqjes së pandemisë në Kosovë.
Sa u përket të dhënave mbi punëtorët e sektorit privat, vështirësia e mbulimit të shpenzimeve personale si rezultat i vonesës në mbulimin e pagës nga pako emergjente është vlerësuar të jete 6.17, në një shkallë 0-10, ku 0 nënkuptonte “aspak” dhe 10 nënkuptonte “shumë”.
Veç punëtorëve, çështje problematike janë raportuar edhe nga pronarët e bizneseve (21 në total), që kanë marrë pjesë në hulumtim, si rezultat i mosrealizimit i të gjitha pagesave për punëtorë nga qeveria. Më saktësisht, 33.33 për qind e pronarëve të bizneseve kanë pohuar se u është dashur të pushojnë nga puna ndonjë punëtor pasi nuk kanë mundur t’ua mbulojnë pagën. Njëkohësisht, edhe 19.05 për qind e pronarëve të bizneseve kanë deklaruar se ndonjë punëtor ka dhënë dorëheqje pasi nuk kanë mundur t’ia mbulojnë pagën.
Më tej, prej numrit total të të anketuarve, 74.67 për qind e tyre pajtohen/pajtohen plotësisht se si rezultat i moszbatimin total të Pakos Emergjente, numri i bizneseve që do të falimentojnë do të jetë i lartë. Në anën tjetër, kësisoj nuk mendojnë 9.30 për qind.
Për më tepër, Qeveria Hoti ka paraparë të inkuadroj në ekonomi një përqindje, apo 10 për qind të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës si mënyrë e rimëkëmbjes ekonomike. Për dallim prej 24.10 për qind të pjesëmarrësve që e kanë konsideruar si vendim jo të duhur, po i njëjti vendim është konsideruar si i duhur nga 37.67 për qind e pjesëmarrësve.
Sidoqoftë, plani për të funksionalizuar tërheqjen e 10 për qind të parave nga Trusti është aktualisht në procesim. Mirëpo, kjo përqindje nuk po konsiderohet e mjaftueshme nga mjaft pjesëmarrës. Me fjalë tjera, 37.19 për qind vlerësojnë se përqindja që mund të tërhiqet nga Trusti duhet të jetë më lartë se 10 për qind, ndërsa 6.74 për qind vlerësojnë se duhet të jetë më e vogël se 10 për qind. Vetëm 12.33 për qind konsiderojnë se 10 për qind është e mjaftueshme. E veç kësaj, 20.02 për qind konsiderojnë se kjo përqindje e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës nuk duhet përdorur për rimëkëmbje ekonomike.
Përveç kësaj, hulumtimi i Pyper është fokusuar edhe në matjen e gjasave për tërheqjen e 10 për qind nga ana e qytetarëve. Përgjigja më e klikuar rreth kësaj ka qenë se ka shumë gjasa me 24 për qind, ka gjasa me 22.3 për qind, nuk ka gjasa me 15.84 për qind si dhe nuk ka aspak gjasa me 8.92 për qind. Mirëpo, e rëndësishme të theksohet është se ky 10 për qind nuk do të jetë ndihmesë për të gjithë pasi siç tregojnë të dhënat 28.94 për qind e pjesëmarrësve kanë deklaruar se nuk kanë kursime në Trust.