Soltes: Nuk dihet çfarë do t’i sjellë Kosovës përbërja e re e PE-së
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Igor Soltes nuk ka mundur të jap një datë se kur mund të ndodh liberalizimi i vizave për Kosovës për arsye se nuk dihet si do të jetë përbërja e re e Parlamentit Evropian pas zgjedhjeve, e për më tepër që Evropa po kalon në një kohë të turbullt.
Pasi që Republika e Kosovës nuk mundi të marrë liberalizimin e vizave gjatë legjislaturës ekzistuese të Parlamentit Evropian, një mbështetje të tillë nuk është e garantuar që ta sigurojë nga përbërja e re e deputetëve PE-së pas zgjedhjeve që mbahen në muajin maj.
Eurodeputeti Igor Soltes në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka thënë se është ende e pa qartë se cili do të jetë qëndrimi i deputetëve të ardhshëm sa i përket vendeve të Ballkanit dhe çështjes së zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Kështu sipas tij, nuk dihet se çfarë do të sjellë përbërja e re e Parlamentit Evropian (PE) edhe lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Soltes shton se ky procesin është i paqartë edhe për faktin se Evropa po kalon në një kohë mjaft të turbullt.
“Zgjedhjet e ardhshme në Evropë pritet të jenë një nga më të rëndësishmet, ndërsa Evropa po kalon nëpër një kohë të turbullt. Askush në këtë moment nuk e di se si do të duket përbërja e Parlamentit Evropian, por shpresoj se do të jetë orientuar pro-evropian dhe gjithashtu do të shoh rëndësinë e bashkimit të Evropës në tërësi. Duke thënë këtë, shpresoj që Ballkani të mbetet një nga prioritetet në mandatin e ardhshëm legjislativ të Parlamentit Evropian dhe se do të vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit evropian”, ka thënë Soltes për FaktePlus.
Ndërkaq i pyetur se a mund të jetë në të vërtetë çështje procedurale ngecja e liberalizimit të vizave në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian, apo thjeshtë një mungesë e vullnetit politik karshi një procesi të rëndësishëm për Kosovën, Soltes ka thënë se nuk dihet se cila mund të jetë çështja që ka quar në ngecje të këtij procesi nga shtetet anëtare individuale.
“Nuk mund t’u jap një përgjigje për këtë çështje, pasi nuk e di saktësisht se cilat janë çështjet specifike apo shqetësimet e shteteve anëtare individuale. Kjo përgjigje mund t’u jepet nga ministrat përgjegjës”, ka thënë Soltes.
Në korrik të vitit të kaluar Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i ka përmbushur dy kërkesat e mbetura për liberalizimin e vizave, konkretisht për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe për arritje të forta në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke përmbushur pra të gjitha standardet e përcaktuara në Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave.
Pas këtij lajmi raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes kishte thënë se tani topi është në anën e BE-së, për të bërë atë që ka premtuar.
Kurse pas votimit të ndodhur në fund të muajit mars të këtij viti në Parlamentin Evropian, kishte reaguar edhe anëtarja tjetër e këtij parlamenti, Tanja Fajon, e cila kishte bërë thirrje që Këshilli Evropian të veprojë menjëherë.
Tani sfida kryesore në këtë proces për Kosovën mbetet në Këshillin e Ministrave, ku ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, i japin vlerësimet e tyre.
Sidoqoftë, që nga viti 2010, përfaqësuesit politik dhe institucional të Kosovës, në vazhdimësi kanë premtuar liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit, duke përcaktuar edhe data dhe afate të shkurta./FaktePlus