Sllovenia mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në një takim ambasadorin slloven Bojan Bertoncelj.
Ai ka uruar zonjën Osmani për detyrën dhe për 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.Në të njëjtën kohë, ka potencuar se politika e jashtme sllovene e ka në fokus Ballkanin Perëndimor.
Ambasadori Bertoncelj e ka konsideruar fazë të re në politikën kosovare, kryesimin e Kuvendit nga ana e zonjës Osmani.
Ai ka rikonfirmuar mbështetjen e Sllovenisë ndaj Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe ka thënë se shteti slloven është për zhvillim dhe bashkëpunim rajonal.
Ndërkaq kryekuvendarja Osmani, ka përmendur investimet sllovene në Kosovë dhe ka shtruar nevojën e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve, posaçërisht në fushën e diplomacisë parlamentare.
Ajo e ka njoftuar ambasadorin slloven me krijimin e grupeve parlamentare të miqësisë, njëri nga të cilët do të jetë ai me Slloveninë.
Duke e potencuar mbështetjen sllovene në shumë procese, Osmani ka kërkuar që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në procesin e integrimit evropian./FaktePlus