Sllovaku Lajçak më 2 prill fillon punën si i Dërguari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi
Ish ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak pritet që këtë javë ta marrë pozitën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe Ballkanin Perëndimor.
Sipas një dokumenti të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, Lajçak do të marrë postin e ri me 2 prill, për një periudhë një vjeçare, një ditë pasi ambasadorët e BE-së pritet të japin dritën e tyre të gjelbër për emërimin e tij.
Sipas dokumentit, detyra e parë e Lajçak është të arrijë “normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve” midis Serbisë dhe Kosovës.
Kjo duhet të bëhet përmes përfundimit të një “marrëveshjeje juridikisht detyruese që adreson të gjitha çështjet e pazgjidhura midis palëve në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe duke kontribuar në stabilitetin rajonal”, thuhet në dokument.
Negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja u ndërprenë në vitin 2018 pasi Kosova vendosi një taksë 100 për qind për importet serbe.
Emërimi i pritshëm i Lajçakut është pritur me skepticizëm në Kosovë, ku presidenti Hasim Thaçi ka thënë disa javë më parë se “misioni i tij është krijuar të dështojë për shkak të angazhimit të tij për të ndaluar Sllovakinë që ta njohë Kosovën”.
Dokumenti i BE-së i parë nga Radio Evropa e Lirë, thotë se mandati i Lajçakut gjithashtu do të konsistojë në përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe pajtimit në të gjithë Ballkanin Perëndimor, rritjen e prezencës së BE-së përmes diplomacisë publike, dhe kontributin për unitetin, konsistencën dhe efektivitetin e veprimit të BE-së në rajon.
Lajçak, i cili u propozua për këtë post nga shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, u tërhoq si ministër i Jashtëm i Sllovakisë. Ai këtë detyrë e kishte ushtruar në një periudhë tetë vjeçare.