Skender Hyseni flet për FaktePlus, pasi u përmend si zëvendësues i Vlora Çitakut
Dy ditë më parë ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca, ka propozuar tërheqjen nga misionet diplomatike të shtatë ambasadorëve dhe konsujve, e në mesin e tyre edhe të ambasadores në SHBA, Vlora Çitakun.
E pas kësaj ka pasur reagime nga më të ndryshmet, ndërsa janë lakuar edhe emra të ndryshëm të cilët mund ta zëvendësojnë Çitakun në SHBA.
Në mesin e disa emrave janë edhe të dy personaliteteve, që në publik njihen si persona që e kanë dhe e bëjnë jetën sikur të aristokratëve, e që mund ta pasojnë Vlora Çitakun në pozitën e Ambasadorit të Kosovës në SHBA.
Nga ajo siç raportojnë mediat tanimë beteja është duke u zhvilluar në mes të Skënder Hysenit të LDK-së dhe publicistit, Veton Surroi.
Hyseni është pjesë e LDK-së, ndërsa në të kaluarën ka ushtruar funksionin e ministrit të Jashtëm dhe më pas edhe të ministrit të Brendshëm në Qeverinë e Kosovës.
Ndërsa Surroi është i njohur për pjesëmarrjen e tij në procesin e Rambujesë dhe të Vjenës, kurse me politikë aktivisht nuk është marrë prej kur partia e tij “ORA” nuk kishte arritur ta kalonte pragun zgjedhor për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
FaktePlus, ka kontaktuar me Skender Hysenin për ta pyetur për këtë çështje, por ai të gjitha këto raportime i ka quajtur spekulime.
“Nuk komentoj spekulime të tilla”, ka thënë Hyseni për FaktePlus.
FaktePlus, ka tentuar që të kontaktojë edhe me publicistin, Veton Surroi, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur./FaktePlus