Skenari i opozitës për zgjedhjet
Derisa po vazhdon debati e përplasjet mes pozitës dhe opozitës, se a do të mbahen zgjedhjet më 30 qershor në Shqipëri, së fundi është bërë publik një skenar i opozitës se si duhet vepruar nëse nuk hiqet dorë nga zgjedhjet.
Një organizatë e quajtur, Lëvizja AntiSoros, ka publikuar një manual me 4 fletë, ku jepen detaje se si duhet penguar zgjedhjet pa kryer asnjë vepër penale dhe pa u dënuar nga organet e rendit.
Kjo lëvizje thotë se për të arritur qëllimet për Shqipërinë dhe shqiptarët që duan të mbrojnë të drejtat kushtetuese dhe të pengojnë Grushtin e Shtetit, duhet bërë disa veprime.
“Ka një zgjidhje që ne as të mos shkelim ligjin dhe as mos rrezikojmë burgun dhe askush të mos na pengojë dot të mbrojmë Kushtetutën dhe Demokracinë, Pluralizmin dhe Liritë Themelore Kushtetuese, të vetmen që kanë mbetur pa na marrë ende Rilindja Sorosiane në Pushtet: Në zbatim të Nenit 106 të Kodit Zgjedhor, ti mund të shkosh që herët në qendrën e votimit me një shishe 1.5 litra ujë me vete, një peshqir të lagur (pasi të kesh kryer paraprakisht edhe çdo nevojë personale), të marrësh fletën e votimit ti vendos “TË MENDOHESH 4-5 ORË” në dhomën e fshehtë të votimit dhe pas meditimit të gjatë prej 4-5 orësh të anullosh votimin dhe në fund kthe fletën e votimit mbrapsht!”, rekomandon Lëvizja AntiSoros në publikimin e saj në rrjetin social Facebook.
Madje kjo lëvizje thotë se këtë veprim duhet bërë të gjithë bashkë që në ora 07:00-19:00, pasi askush s’ka të drejtë të cënojë të drejtën për t’u menduar në Dhomën e Fshehtë se për kë do të votoni.
“Sipas Kushtetutës dhe ligjit e drejta juaj për të medituar se kujt do t’ja jepni votën apo nëse do t’a jepni atë në dhomën e fshehtë është e drejtë kushtetuese, ligjore dhe nuk ekziston asnjë nen në Kodin Penal apo Kodin Zgjedhor që ju ndalon dhe çdo pengim i juaji nga ana e anëtarëve QV (Neni 330, “Pengimi i zgjedhësit”) apo policisë është vepër penale e kryer nga ata! Meditimi për të vendosur se për kë të votosh apo duhet të votosh është e drejtë patjetërsueshme e çdo kujt që ka të drejtë të votojë!”, thuhet mes tjerash në manualin katër pikësh.