Skandaloze: Pakistani ua merr licensat 262 pilotëve, dyshohen për falsifikime
Autoritetet e aviacionit në Pakistan ua kanë pezulluar lejen e punës 262 pilotëve, licensat e të cilëve mund të jenë të falsifikuara. Ky është një skandal i gjerë në vendin ku muajin e kaluar u rrëzua një aeroplan.
Ministri i Aviacionit, Ghulam Sarëar Khan, tha të premten se pilotët janë duke u hetuar dhe pesë zyrtarë të lartë në Autoritetin e Aviacionit Civil, të cilët ishin shkarkuar nga puna, mund të ndiqen penalisht, shkruan “Free Europe”.
Në mesin e pilotëve të larguar nga puna janë 141 të kompanisë shtetërore “Pakistan International Airlines”, e cila gjithsej i ka 450 pilotë. Pjesa tjetër përbëhet nga pilotët e kompanive private.
Të enjten, kompania shtetërore njoftoi se i ka pezulluar nga puna 150 pilotë që licensën e kishin marrë përmes mashtrimeve dhe ka filluar t’ua ndërpresë kontratat.
Skandali i licensave doli në pah këtë javë kur ministri Khan i publikoi në kuvend gjetjet e hetimeve për rrëzimin e një aeroplani më 22 maj, me ç’rast kishin vdekur 97 persona.
Sipas hetimeve fillestare, pilotët ishin duke biseduar për koronavirusin përderisa mundoheshin ta lëshonin aeroplanin në tokë pa ia nxjerrë rrotat jashtë trupit.
Motorët e aeroplanit ishin dëmtuar gjatë përpjekjes së parë për aterrim, ndërsa aeroplani e kishte humbur energjinë dhe u përplas afër aeroportit gjatë përpjekjes së dytë për lëshim në tokë.