Skandaloze: E dha një mostër për analiza të gjakut, rezultatet i dalin edhe për urinë
Nëse keni nevojë për shërbime mjekësore duhet t’i drejtoheni Qendrës më të afërt të Mjekësisë Familjare, e cila mbulon lagjen tuaj. Aty mund të kryeni kontrolle mjekësore dhe të bëni analizat e nevojshme laboratorike. Kështu rekomandohet në faqen zyrtare të QKMF-së në Prishtinë. E kështu ka vepruar edhe një grua, por për pak sa nuk ia pa sherrin shërbimeve të një qendre mjekësore në kryeqytet.
F.A, 75 vjeçare nga Prishtina, të premten e kaluar pasi i ishin shfaqur disa probleme shëndetësore edhe kishte shkuar për kontroll te mjeku në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Dardania”.
Rekomandimi i mjekut ka qenë që pacientja të kryej analizat e gjakut dhe të urinës, mirëpo nuk ndodhi ashtu siç edhe rekomandoi mjeku.
Kështu pacientja ka dhënë vetëm një mostër të gjakut, por për shkaqe shëndetësore dhe moshës së shtyrë, nuk kishte mundur të bënte urinën në mënyrë që të realizonte edhe këto analiza.
Çuditërisht pas marrjes së rezultateve të analizave, në raportin final, pacientes përveç analizave të gjakut i rezultonin edhe analizat e urinës, ani pse nuk kishte dhënë asnjë mostër.
Për këtë çështje Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kontaktuar familjarët e pacientes. Ata deklarojnë së janë të shqetësuar për këtë “gabim”, i cili ka mundur t’i kushtojë edhe me jetë familjares së tyre.
“Po rasti ka ndodhur të premten e kaluar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dardani. Familjarja jonë ka dhënë një mostër për të bërë vetëm analizat e gjakut dhe jo të urinës. Nuk e di se si mund të dalin rezultatet e analizave pa dhënë një mostër. Nga ky gabim mjeku e ka ndaluar përkohësisht terapinë për arsye sigurie”, është shprehur një familjare e F.A, për FaktePlus.
Mos dhënia e mostrës së urinës ka bërë që të kuptohet se analizat nuk janë në rregull dhe pacientes të mos i përshkruhet ndonjë tretman shëndetësor që nuk do të kishte qenë adekuat për të.
FaktePlus ka siguruar rezultatet analizave të pacientes F.A, ku janë të përshkruara si ato të gjakut edhe të urinës.
Ky rast ngre dyshime se sa raste të tilla kanë mundur të ndodhin, por edhe ndodhin aktualisht nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare gjithandej Kosovës, nëpër spitale publike, por edhe klinika të ndryshme private.
Meqë sot është ditë pushimi për institucionet publike, redaksia e FaktePlus do të interesohet që nesër të marrë një përgjigje nga organet kompetente lidhur me rastin në fjalë.
Mbetet të shihet se si është e mundur të dalin rezultate të analizave pa dhënë një mostër dhe kush është përgjegjës për këtë ngatërrim që edhe mund të kishte pasur pasoja të rënda për pacienten./FaktePlus