Skandali në Drenas: Këta janë 6 personat që po akuzohen për abuzim seksual
Kanë kaluar gati një vit prej kur opinioni u trondit nga historia e nxënëses së mitur A.G nga Komuna e Drenasit, e cila dyshohet se ishe abuzuar seksualisht nga disa persona. Nga atëherë e deri më tani janë përmendur persona të shumtë e emra të ndryshim që kanë abuzuar me të miturën. Kurse, dje Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për 6 të dyshuar. FaktePlus ka siguruar emrat e plotë të tyre. E disa nga ta kanë pranuar edhe të rrëfehen për përfshirjen në këtë rast.
Nuk ka njëri në Kosovë që nuk ka dëgjuar për historinë e abuzimit të një vajze të mitur në Drenas, rreth një vit me parë. Për këtë abuzim, ndër emrat më të përfolur pa dyshim është polici hetues, Vesel Veseli, të cilit tashmë i është ngritur aktakuza për abuzim seksual.
Por, kjo nuk është e tëra.
Përkrah policit të Kosovës, Vesel Veseli, të dyshuar për abuzim seksual janë edhe pesë persona të tjerë, kundër të cilëve po ashtu është ngritur aktakuzë. Edhe këta bartin mbi supe profesione e pozita të ndryshme institucionale, si profesor, avokat e zyrtar shtetëror.
Në njoftimin që ka dërguar dje për media Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka treguar se ka ngritur aktakuzë, kundër gjashtë të pandehurve me inicialet Sh.Gj., V.V., G.H., F.C., I.R., dhe H.H., për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, “Nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës”, “Shtytja në ndërprerjen e palejuar e shtatzënësisë” dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale”.
Por në njoftimin e Prokurorisë siç edhe shihet nuk janë bërë publik emrat e plotë të të dyshuarve, e FaktePlus ka arritur që të sigurojë të gjithë emrat dhe fotografitë e tyre.
Disa nga ta që ka arritur t’i kontaktoj FaktePlus kanë pranuar që janë përfshirë në këtë rast, dhe janë deklaruar me pak fjalë.
Burime të FaktePlus kanë treguar se personat e dyshuar në këtë rast, ndaj të cilëve edhe është ngritur aktakuzë janë: Vesel Veseli (polic), Gazmend Halilaj (avokat), Shkëlzen Xhekaj (arsimtar), Fatmir Caraku (mësimdhënës), Ibrahim Rexhepi (mësimdhënës) dhe Hysen Hoxha (zyrtar në Qendrën për Punë Sociale).
Ky i fundit, pra Hysen Hoxha, që kishte punuar në Qendrën për Punë Sociale në Drenas, inicialet e të cilit gjinden në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është kontaktuar nga FaktePlus.
Ai nuk ka pranuar të flasë shumë për përfshirjen e tij në aferën seksuale, vetëm se ka thënë se rasti është në Gjykatë dhe se ndihet i pafajshëm.
“Për ato punë nuk kam mundësi me dhënë kurrfarë deklarate. Rasti është në gjykatë dhe aty merremi vesh. Unë e konsideroj vetën të pafajshëm, por për atë nuk kam qef me fol me gazetarët se po i rritni senet e nuk e shoh të udhës me dhënë deklaratë. Jam i përfshirë, por nuk jam i interesuar të jap deklaratë”, ka thënë ai.
Ky është Hysen Hoxha që kishte punuar në Qendrën për Punë Sociale në Drenas
Edhe Ibrahim Rexhepi, që ishte mësimdhënës në kohën sa është abuzuar seksualit e mitura nga Drenasi, e ka pranuar se është i përfshirë nga prokuroria në këtë rast, por edhe ai ka qenë fjalëpakë.
“Nuk më ka ardhur asgjë me shkrim. Nuk di asgjë, kjo është vetëm një aferë. Unë nuk e di pse mu ka përmend emri, ata mujn me ditë”, ka thënë ai.
Rexhepi tutje e ka pranuar se e njehë vajzën për të cilën dyshohet se është kryer abuzim seksual.
“Po e njoh. S’di sa jam unë i detyruar me iu dhënë sqarime juve. Për momentin nuk di asgjë. Nuk më kanë thirr tash për intervistim, veç më herët”, ka thënë ai.
Ky është Ibrahim Rexhepi, që ishte mësimdhënës në kohën sa është abuzuar seksualisht e mitura
Kujtojmë se avokati Gazmend Halilaj ishte ai i cili e kishte dërguar kallëzimin penal pranë Prokurorisë në lidhje me rastin e abuzimit seksual ndaj 16 vjeçares, ndërsa tani edhe ai po hetohet si i dyshuar në këtë çështje.
Për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë ditës se djeshme ka reaguar edhe vetë avokati i shumëpërfolur Gazmend Halilaj.
Ai ka thënë se nuk ka frikë nga kjo aktakuzë dhe se tash e tutje do ta godas krimin edhe më shumë.
“Nejse, pa dasht te permendi emra por njerzit vetem qe po mendojn ndryshe, po i akuzojn per terrorizem dhe pastaj i vrasin ne burg, ndersa un i kam godit me prova dhe kjo ka qene pritshme. Ajo qka eshte SKANDALOZE, qe prokuroria me ka ngrit aktakuz per veper qe ,,Fare nuk gjendet ne Kodin penal,,. Skam qare pa e ba nje Kallzim penal,, ndaj perosnave pergiegjes. Te dashur miq, nga sot do te jem edhe me i FORT ne drejtim te goditjes se krimit sidomos te personave zyrtar. Un jam GAZMEND HALILAJ, un nuk friksohem, un do ta godas krimin pavarsisht qmimit qe paguaj”, ka shkruar ndër të tjera Halilaj në Facebook.
Ky është avokati Gazmend Halilaj
Ndërkohë FaktePlus ka provuar të flas mësimdhënësin Fatmir Caraku, emri i të cilit po ashtu gjendet në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
FaktePlus posedon edhe fotografinë e tij.
Duhet theksuar se e mitura nga Drenasi dyshohet se ishte abuzuar seksualit fillimisht nga arsimtari Shkëlzen Xhekaj. Edhe ndaj tij Prokuroria ka ngritur aktakuzë. Ai deri më tash nuk ka pranuar asnjëherë të flas për media.
E pa dyshim se në aktakuzë gjendet edhe emri i policit më të përfolur për këtë rast, Vesel Veseli, të cilit tashmë i është ngritur aktakuza për abuzim seksual.
Si kishte nisur historia e abuzimit seksual në Drenas?
Historia e vajzës kishte nisur në qershor të vitit 2016-të. Atëherë A.G kishte filluar të fliste përmes Facebookut me arsimtarin Shkëlzen Xhekajn, të cilin e kishte edhe fqinj, por, që i njëjti jepte mësim edhe në shkollën ku mësonte vajza.
Ky është arsimtari Shkelzen Xhekaj
Të dy këta pas një komunikimi që kishin pasur njëherë përmes Facebook-ut kishin vazhduar edhe të takoheshin, e krejt kjo kishte zgjatur një vit e gjashtë muaj.
Siç edhe është raportuar në media profesori i kishte premtuar vajzës që do të martohej me të, pasi që e njëjta të kryente shkollën, por, situata kishte ndryshuar pak muaj më vonë, e pastaj vajza kishte vendosur që për rastin të drejtohej për në polici.
Shkëlzen Xhekaj kishte angazhuar si avokat Gazmend Halilaj, ndërkaq, vajza rastin do ta raportonte te polici hetues, Vesel Veseli që më vonë do të abuzonte me të e do ta shantazhonte për një periudhë gjatë të cilës vajza do të mbetej edhe shtatzënë e do të detyrohej të abortonte.
A.G kishte rrëfyer para prokurorisë për të gjithë rastin e më vonë i kishte tërhequr deklaratat, ndërkaq, për Xhekajn nuk kishin vazhduar hetimet. Atëherë do të fillonte edhe abuzimi nga Vesel Veseli.
Dyshimet ishin se avokati Gazmend Halilaj e kishte shfrytëzuar rastin, gjatë kohës sa ishte avokat i të dyshuarit Xhekaj për të krijuar afërsi me vajzën atëherë të mitur, e me të ka edhe dyshime se kishte filluar edhe raporte dashurie.
Të miturën, Halilaj dyshohet se e ka shtyrë që t’i denoncojë edhe personat e tjerë për keqpërdorimet seksuale që ia kishin bërë asaj.
Rasti i Drenasit ka tronditur opinionin në vend, e në disa komuna janë organizuar edhe protesta duke e dënuar atë se çka kishte ndodhur si dhe duke kërkuar që fajtorët të vihen nën pranga. Për këtë rast hiç më larg se dje edhe mediat më të mëdha në botë kanë mbushur ballinat me shkrime./FaktePlus
Ky është polici Vesel Veseli