Skadon tenderi aktual për qumësht, komuna e rrit ofertën mbi 16 mijë euro në tenderin e ri
Nëse mësimdhënësit nuk fillojnë grevën e paralajmëruar, më 14 janar pritet të fillojë gjysmë vjetori i dytë i vitit shkollor në nivel republike. Por, nëse mësimi fillon sipas planifikimeve, nxënësit e kryeqytetit mund të përballen me një problem tjetër. Nxënësit në Prishtinë rrezikojnë të mos marrin sasinë e qumështit që rëndom u është ofruar viteve të fundit.
Më 11 janar të këtij viti skadon validiteti i kontratës që Komuna e Prishtinës e ka të lidhur me kompaninë “ABRAZEN” L.L.C, e cila deri më tani ka furnizuar me qumësht shkollat e nivelit të ulët, nga klasa e parë deri në të pestën, shkruan FaktePlus.
Kontrata që është valide e që vlen vetëm deri në fund të kësaj jave, ishte nënshkruar më 11 janar të vitit 2018, dhe sipas dosjes së tenderit ka vlefshmëri fiks 12 muaj. Kjo kontratë peshonte saktësisht 733.698,00 euro, para këto që komuna ia ka paguar kompanisë.
Këtë kontratë Komuna e Prishtinës nuk e ka publikuar në ueb-faqe sikurse kontratat tjera, tek platforma “kontratat e hapura”. Për këtë kontratë kanë qenë në dijeni vetëm autoritetet komunale dhe një pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila reagoi tani për çmimin e paguar për qumështin.
Tenderi i ri për qumësht më i lartë se i fundit e shumë më i lartë se i pari
Zyra e Prokurimit në Komunën e Prishtinës para disa javëve ka hapur tender të ri, por ai nuk do të mund të realizohet edhe disa ditë për shkak të procedurave të Ligjit të Prokurimit Publik.
Ndërkohë shtyrje tjetër mund të shfaqet edhe për shkak të ankesave që mund të bëhen në Organin Shqyrtues të Prokurimit nga kompanitë konkurruese, nëse Komuna nuk procedon me vetëm një ofertues.
Më saktësisht më 26.11.2018 Komuna e Prishtinës ka bërë njoftim për kontratë për “Furnizim me qumësht për nxënësit e shkollave – niveli i ulët nga klasa e parë deri në të pestën”.
Afati për dorëzimin e ofertave ka qenë më i shkurtër se zakonisht dhe për këtë Komuna e Prishtinës ka pasur një arsyetim.
“Pasi që afati kontratës ekzistuese është gati për të skaduar është paraqitur nevoja e shkurtimit të afatit”, thuhet në dosjen e tenderit, respektivisht në nenin IV tek pika 3.3 në dosjen e tenderit.
Komuna planifikon të paguaj mbi 16 mijë euro më shumë
Edhe në këtë rast kriter kryesor është vendosur “çmimi më i ulët”. Kohëzgjatja e kontratës është shënuar se do të jetë 6 muaj, kurse afati i fundit për pranimin e ofertave ka qenë deri më 20 dhjetor 2018. Vlera e parashikuar e kontratës vetëm për gjashtë muaj është 375.000,00 euro, që për një vit arrin në 750.000,00 euro.
Sipas dosjes së tenderit, Komuna po kërkon 1834245 copë paketime të qumështit 250 ml në ambalazh aseptik të Tetra-Pakut, Yndyra: 2.8g-3.5g, Proteina:min 3.2g, Laktozë:min 4.6g, Kalcium: 120mg, Qumësht i sterilizuar në temperaturë 1370C dhe i homogjenizuar me 2.8%- 3.5% yndyrë.
Çmimi i qumështit sebep i kallëzimit penal ndaj Shpen Ahmetit
Për dallimin e madh të çmimit të qumështit nga kontrata e parë me këto të më vonshmet, gjatë ditës së djeshme aktivistë të Qendrës së Vetëvendosje nga Prishtina dorëzuan në Prokurori kallëzimin penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për lidhje të kontratës së dëmshme.
Ky kallëzim penal i dorëzuar në Prokurori nga Vetëvendosje ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime në vlerë prej 530 mijë eurove në tenderët për furnizim me qumësht nga ana e Komunës së Prishtinës.
“Kjo pasi që në vitin 2017 tenderin për furnizim me qumësht e ka fituar Devolli, në vlerë prej 200 mijë eurove, ndërsa vitin 2018 me të njëjtat kushte dhe me të njëjtin afat kohor e ka fituar kompania “ABRAZEN”, në vlerë prej 733 mijë eurove. Pra vlera e keqpërdorimeve është mbi 500 mijë euro, dhe pronar të vërtetë të dy kompanive janë vëllezërit Devolli. Pasi që në kompaninë “ABRAZEN” figurojnë disa persona të autorizuar dhe anëtarë të punësuar të kompanisë Devolli Group, njëri nga ta Ernest Isufi, i cili figuron drejtor në Devolli Group”, kanë thënë aktivistë të Vetëvendosjes.
Kujtojmë se Komuna e Prishtinës që nga viti 2015 e deri më tani shpërndanë çdo ditë nga një pako me qumësht falas për nxënësit e shkollave fillore, respektivisht për klasët I-V./M.B – FaktePlus