Skadon afati prej 60 ditëve, Kushtetuesja ende pa vendim për projektligjin për ekipin negociator
Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk i kanë mjaftuar dy muaj për të shqyrtuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, për të marrë vendim nëse është në pajtim me aktin me të lartë juridik në vend apo jo.
Kjo pasi ka kaluar afati ligjor prej 60 ditëve që Gjykata ka në dispozicion për të shqyrtuar një çështje.
Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, këtë ligj e kanë dërguar me 15 mars në Gjykatë, që do të thotë se vendimi i Kushtetueses ka qenë dashur të merrej deri më 15 maj.
Edhe përfaqësuesit e partive politike që kanë dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e tij,thonë se gardiani i Kushtetutës e ka kaluar afatin brenda të cilit është dashur të kthehet përgjigjja.
E në Gjykatën Kushtetuese kanë thënë se kjo lëndë është në fazën përfundimtare, por nuk kanë treguar se kur mund të merret vendimi.
Në një përgjigje nga zyra për media e Gjykatës Kushtetuese, për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, thuhet se vendimi do të merret në një afat të arsyeshëm kohor.
“Kjo lëndë është në fazën përfundimtare të shqyrtimit. Vendimi do të merret brenda një afati të arsyeshëm kohor, pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së parashtruar në kërkesë”, thuhet në përgjigjën e zyrës për media e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërsa, në anën tjetër deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë për FaktePlus, se Gjykatës Kushtetuese i ka kaluar afati prej 60 ditëve për të marrë vendim rreth çështjes që e kanë dërguar për interpretim, porse në raste të caktuara ajo e zgjatë afatin kur çështja është komplekse për vendimmarrje.
Megjithatë, pavarësisht kohës sa vonohet, deputetja Haxhiu thotë se ata presin që kushtetuesja ta shpallë jo kushtetues projektligjin për ekipin negociator.
“Gjykata Kushtetuese ka afat 60 dite dhe tashme ky afat ka kaluar, por ka raste kur për shkak te kompleksitetit te çështjes merr kohë me shumë. Për sa kohe ky delegacion nuk mund te marr asnjë vendim, për ne është në rregull. I mbetet Gjykatës ta vlerësoj kohen që i duhet. Kontestimi qe i kemi bërë është shumë i bazuar, andaj padyshim që presim që Gjykata ta shpall jokushtetues atë projektligj”, theksoi Haxhiu për FaktePlus.
LDK e Vetëvendosje kishin vendosur për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese këtë ligj, pasi pretendojnë se ky Projektligj shkel nenin 2 të Kushtetutës, ku flitet për sovranitetin, Nenin 4 të Kushtetutës ku flitet për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit.
Mandej pretendohet se është shkelur Neni 7 ku flitet për rendin kushtetues të Kosovës, Neni 18 i Kushtetutës, ku flitet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe Nenin 20 të Kushtetutës, ku flitet për bartjen e sovranitetit ose kalimin e kompetencave shtetërore, Nenin 65 të Kushtetutës, ku flitet për kompetencat e Kuvendit të Kosovës, Nenin 93 të Kushtetutës, ku flitet për kompetencat e Qeverisë dhe Nenin 94 të Kushtetutës , ku flitet për kompetencat e kryeministrit.
Me 7 mars Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar me 58 vota për dhe tri abstenime në leximin e dytë Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.
Po ashtu, në ditën që u miratua ky Projektligj, deputetët kishin miratuar edhe Platformën për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë./FaktePlus