Ska viza, Thaçi i zhgënjyer me emisarët e Merkel dhe Macron
Presidenti Hashim Thaci ka pritur sot në takim emisarët special të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel.
Në këtë takim, Thaçi tha se është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimore në përgjithësi.
Mirëpo, Thaçi ka thënë se aty nuk është hapur çështja e liberalizimit të vizave. Ai edhe një herë u shpreh se ky mosunitet i BE-së dhe qëndrim kundërshtues ndaj Kosovës është i padrejtë.
Thaçi u ka thënë se ky duhet të jetë një mesazh i zgjimit të spektrit politik përballë kësaj padrejtësie
“Diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë në Ballkanin Perëndimor. Dëshiroj të falënderoj presidentin Macron për interesimin e tij të vazhdueshëm për Kosovën. Në anën tjetër duhet të them edhe atë që është në interes të opinionin, spektrin politik, qytetarët se për fat të keq edhe sot nuk u dëgjua asgjë për liberalizimin e vizave. Kjo është jashtëzakonisht zhgënjyese për qytetarët e vendit. Mendoj se ky mosunitet i BE-së dhe qëndrim kundërshtues dhe tash edhe ndëshkues për Kosovën është i padrejtë në raport me Kosovën, sepse Kosova ka implementuar në tërësi kriteret e nevojshme. Mendoj se ky duhet të jetë një mesazh i zgjimit të spektrit politik përballë kësaj padrejtësie. Ne nuk kemi të ardhme tjetër përpos asaj evropiane. Qëndrimi im ishte shumë i qartë, fillimisht BE duhet të nxjerr vendimin për liberalizim, pastaj të mendojë se a ka kapacitet, vizion e lidership për të shtyrë përpara dialogun Kosovës-Serbi”, është shprehur ndër të tjera Thaçi.