S’ka rezultate nga punimet në dhjetë lokacione për të pagjeturit
Kanë kaluar 20 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe ende nuk është zgjidhur problemi me të pagjeturit. Madje edhe nga gërmimet e e fundit në disa lokacione nuk ka rezultuar me ndonjë gjetje.
Janë më shumë se 1,600 persona që konsiderohen ende të pagjetur dhe se sfida më e madhe për institucionet dhe shoqërinë e Kosovës edhe në këto vite vazhdon të mbetet trajtimi i këtij problemi.
Nga Komisioni i Qeverisë për personat e pagjetur, kanë bërë me dije se janë zhvilluar punime në 10 lokacione brenda Kosovës si të dyshuara për varreza me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.
Prenk Gjeta i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se kanë gërmuar në muajt e fundit në disa lokacione, por pa rezultate.
Ai po ashtu tha se kushtet atmosferike po ndikojnë në fillimin e punimeve të reja në lokacione.
“Qe tri javë janë identifikuar 10 lokacione për fat të keq nuk ka pasur gjetje, por që janë të planifikuara edhe vende të tjera por që tash ndikojnë edhe kushtet atmosferike. Në këtë proces kemi pasur edhe gjetje ku normalisht këto identifikime i kemi dorëzuar edhe tek familjarët. Prizreni ka qenë si vend i identifikuar dhe varrezat e këtij qyteti, me hapësirë, të dyshuar që vitin e kaluar kanë mbetur pa u vlerësuar. Më pas kemi gërmuar edhe në Suharekë e Majanc, por që nuk kemi gjetur asgjë në këto vende”, tha ai.
Ai tutje theksoi se po presin identifikime të reja nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
“Tash jemi duke pritur kushtet atmosferike, por sa i përket identifikimit të vendeve të reja pra të lokacioneve të dyshuara me varreza masive, kjo varet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në bashkëpunim me akterët e tjerë që janë në këtë proces”, është shprehur Gjeta./Berat Kostanica/FaktePlus