S’ka rehati në Kosovë – SBASHK e kërcënon me grevë Qeverinë Kurti (VIDEO)
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) nuk e ka ndërmend t’u ndahet grevave.
Kësaj here shkaktar mund të jetë mospërfshirja e Ligjit për Paga në buxhetin e këtij viti.
Ligji për Paga që është pezulluar deri më 30 mars të këtij viti, ka shqetësuar në masë të madhe përfaqësuesit e SBASHK-ut, të cilët kanë paralajmëruar grevë gjithëpërfshirëse në arsim.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj thotë për FaktePlus, se grevat do të fillojnë në momentin nëse vërtetohet që Qeveria Kurti nuk ka ndarë mjete në buxhetin e vitit 2020 për implementimin e këtij ligji.
Jasharaj, deklaron se kësaj greve do t’i bashkohen edhe sindikatat e tjera.
“Ne kemi paralajmëruar greva sepse ka dalë një lajm jo zyrtar dhe është shpërndarë shpejtë tek anëtarësia jonë por edhe te sindikata e shëndetësisë, policisë e sindikata të tjera dhe ne kemi mbajtur konsultime edhe me ta, lajm ky i cili urojmë të mos jetë i vërtetë, i cili thotë se Ministria e Financave dhe Qeveria Kurti duke e përgatitur plan buxhetin për vitin 2020 nuk kanë parapa fare mjete për të implementuar Ligjin e Pagave”, ka thënë ai.
Ai, thotë se nëse ndodhë kjo do të kthehet janari i vitit të kaluar, kur i gjithë sistemi arsimor ishte në grevë për dy javë.
“Larg qoftë nëse nuk janë paraparë në buxhetin e vitit 2020 mjetet e duhura për Ligjin e Pagave atëherë ka rrezik dhe unë jam i sigurt që do të kthehet janari i vitit të kaluar kur i tërë sistemi arsimor do të shkojë në grevë, nëse këtë kuptohet e kërkojnë mësimdhënësit dhe punëtorët tjerë dhe unë jam i sigurt që nga takimet me ta se edhe do ta kërkojnë”, ka deklaruar Jasharaj, për FaktePlus.
Jasharaj, deklaron se kanë kërkuar takim me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi për të diskutuar për këtë çështje.
“Po, kemi kërkuar takim dhe dje ishim në një takim të përbashkët, ne, shëndetësia, policia, zjarrfikësit dhe dogana kishte deleguar vendimin e saj se do të pajtohet me vendimin tonë dhe i ka mbetur sindikatës së shëndetësisë të dërgojë një shkresë zyrtare të pesë sindikatave. Informacionet e para tonat flasin se mbase nesër mund të ketë një takim të tillë sepse besoj se edhe Qeveria Kurti e vetë kryeministri e kanë kuptuar që kemi të bëjmë me një shqetësim jo të një numri të vogël por të sindikatave që përfaqësojnë sektorët kyç të Kosovës”, ka thënë ai.
I, pyetur se a ndihet fajtor nëse i gjithë sistemi arsimor paralizohet, Jasharaj ka thënë se nuk ndihet aspak keq, duke përmendur se po pësojnë fëmijët e të cilët në këtë rast nuk kanë aspak faj.
“Jo, nuk ndihem fajtor, madje unë edhe dje në takim me kolegët e mi e kam thënë se nuk ndjehemi keq ngase nuk është e drejtë që Qeveria Kurti tash mos të planifikojë mjete për Ligjin e Pagave ngase ky ligj i pagave dihet se nga përbërja e kaluar e Parlamentit është votuar dhe ne e konsiderojmë si ligj pavarësisht që Kushtetuesja e ka pezulluar përkohësisht….duhet të planifikojë mjete edhe për Ligjin e Pagave dhe po them nëse ndodhë greva përgjegjësin e ka Qeveria Kurti dhe kryekëput ministri i Financave, Besnik Bislimi nëse nuk ka parapa mjete për Ligjin e Pagave”, ka shtuar Jasharaj.
Sipas tij, Qeveria Kurti, Ligjin e Pagave duhet ta konsiderojë ligj ekzistues pasi që është votuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të legjislaturës së kaluar./FaktePlus