“S’ka më të hënën pushim”, Kuvendi ende pa vendim për ndryshimin e festave zyrtare
Ka më shumë se një muaj kur Qeveria e Kosovës ka dhënë mendimin për ndryshimin e prjektligjit për festat zyrtare. Në këtë medim qeveria e kryesuar nga kryeministri, Avdullah Hoti kishte marr vendim që festat zyrtare të cilat bien gjatë ditëve të vikendit të mos pushohet në ditët punës, siç praktikohej gjatë ditës së Hënë.
Në gusht të këtij viti, respektivisht më datë 14, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj ka dhënë mendim lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr 03/L-064 për festat zyrtare të Kosovës. Në bazë të mendimit të qeverisë në pikën 3.2 është kërkuar që neni 4 të fshihet në tërësi dhe të riformulohet si në vijim.
“ Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, nuk do të jenë ditë pushimi ditët pasardhëse të punës”, thuhej në mendimin e Qeverisë.
Në bazë të kësaj, Qeveria e Kosovës është ende në pritje të ndryshimeve nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kjo pasi që komisioni përkatës është ende në fazën shqyrtyese për të bërë ndryshimet e këtij projektiligji.
Këtë e kanë konfirmuar nga Kuvendi i Kosovës për FaktePlus. Nga zyra për media kanë pohuar se projektiligji është në përpunim e sipër.
“Projektligji është në fazën e shqyrtimit në komisionin përkatës parlamentar”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media nga Kuvendi i Kosovës.
E deri në ndryshimin e këtij projektiligji, Institucionet kanë hartuar kalendarin punues kështu duke zbatuar praktikat e mëhershme.
Është Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, e cila ka hartuar kalendarin e vitit të ri akademik 2020/2021 për festat zyrtare dhe ditët e pushimit.
Në këtë kalendar të Ministrisë së arsimit, datat e festave zyrtare të cilat kanë rënë në vikend, do të pushohet në ditën e Hënë.
Ndryshe kjo praktikë e pushimeve në festat zyrtare është kritikuar nga organizata të ndryshme dhe nga vet deputetët të cilët ende nuk e kanë bërë këtë ndryshim.