S’ka më karantinë – konviktet po dezinfektohen e riparohen, së shpejti gati për studentë
Ashtu siç ishte paralajmëruar nga Ministria e Shëndetësisë, tashmë Qendra e Studentëve në Prishtinë nuk do të përdorët si karantinë.
Qeveria në detyrë e Kosovës ditë më parë ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe tani edhe janë mbyllur hapësirat që kanë shërbyer si karantinë, për personat që kanë hyrë në Kosovë nga vendet tjera.
Në fakt, Qendra e Studentëve në Prishtinë që nga muaji mars është shfrytëzuar për izolimin e qytetarëve që janë kthyer nga vendet e huaja, si një nga metodat që të parandalohet përhapja e koronavirusit.
Prej marrjes së masave parandaluese, të gjithë të ardhurit nga vendet e jashtme në Kosovë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë janë dërguar nga Aeroporti i Prishtinës për izolim 14 ditor.
E me rregulla të rrepta e kontrolle shëndetësore janë karakterizuar ditët e të izoluarve në konviktet studentore.
Të fundit që lëshuan këto objekte ishte grupi prej 30 qytetarëve që u liruan pas 1 jave qëndrim në karantinë në Qendrën e Studentëve.
E posa është mbyllur si karantinë, në Qendrën e Studentëve ka nisur dezinfektimi dhe të bëhen disa riparime.
Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Studentore në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Fatmir Sfishta tregon se çfarë po punohet atje dhe kur konviktet do të jenë gati për studentë.
“Jemi duke e realizuar planin tonë sepse ne kemi pasur vetëm 4 konvikte që kanë qenë pjesë e karantinës. Për momentin ka mbetur vetëm konvikti me numër VI të dezinfektohet dhe të bëhet gati, ndërsa konviktet e tjera i kemi dezinfektuar dhe rregulluar. Ne po ashtu jemi duke i rregulluar edhe disa dëme të vogla që kanë ndodhur në këtë kohë të karantinimit. Gjithçka do të jetë gati sepse do të vazhdojmë edhe planet investive që kemi pasur që të jemi gati për muajin tetor”, është shprehur Sfishta.
Ndryshe kjo qendër studentore ishte edhe vatër e pakënaqësive dhe tragjedive. Këtu më 3 maj djali i vetëm i familjes Musliu nga Gjilani, Agoni 25 vjeçar, ka vdekur pasi u hodh nga kati i katërt i konviktit, ku po mbahej pas ardhjes në Kosovë nga Gjermania.
Për vdekjen e 25 vjeçarit në Qendrën e Studentëve ka pasur reagime të shumta, ku është kërkuar dorëheqja e ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, e ky i fundit ka thënë se e ka menduar një gjë të tillë, por që si ministër ka përgjegjësi për të zbardhur të gjithë rastin.
E Prokuroria Themelore në Prishtinë, sot ka filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të vdekjes së 25 vjeçarit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë./FaktePlus