S’ka marrëveshje të madhe shpejt, Grenell shuan spekulimet
Vizita e dy presidentëve, atij të Kosovës dhe të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, nuk ka bërë ndonjë përparim sa i përket marrëveshjes përfundimtare të paqes në mes të dy shteteve. Kështu ka deklaruar sot gjatë ditës i dërguari i Amerikës në dialog, Richard Grenell.
Shteti i Kosovës po vazhdon që të mbetet i pakoordinuar në politikën e jashtme. Dy krerët e shtetit, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti, ende nuk janë ulur që të bashkërendojnë qëndrimet.
Derisa Kurti dhe Thaçi ende po vazhdojnë shpërfaqjen e inateve edhe në aspekt me përfaqësimin e vendit jashtë kufijve, vetëm gjatë javës së fundit i pari i shtetit të Kosovës ka mbajtur disa vizita të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Hashim Thaçi është takuar në Washington përveç me ambasadorin Grenell, edhe me sekretarin e shtetit Mike Pompeo e me Këshilltarin për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien. Mbrëmë ndërkaq u bë e ditur se kanë pasur edhe një takim të përbashkët edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Lajmin për këtë takim e ka bërë të ditur përmes Facebook-ut vetë Thaçi, duke kërkuar që për këtë temë të raportojë në Kuvend të Kosovës, nesër nga ora 16:00.
Sapo përfundova një takim të përbashkët me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të…
Julkaissut Hashim Thaçi Maanantaina 2. maaliskuuta 2020
Nga Presidenca nuk e kanë bërë të ditur se për çfarë do të raportojë nesër saktësisht presidenti para deputetëve.
Gazeta Express ka nisur pyetje në adresë të të deleguarit të presidentit amerikan në dialog. Mirëpo, në zyrën e Richard Grenell nuk janë përgjigjur nëse në Washington është diskutuar për marrëveshjen përfundimtare, apo, edhe nëse ka pasur një dakordim në mes të dy presidentëve të shtetit.
Për këtë temë megjithatë ka shkruar sot gjatë ditës në Twitter, emisari i SHBA-së, Richard Grenell.
Ai po mohon se mund të ketë një marrëveshje në mes të dy shteteve.
“Gabim. Nuk je duke e ditur se për çfarë po flet. Askush nuk po mundohet të veprojë me nguti dhe nuk ka marrëveshje madhore. Je duke shpikur gjëra”, ka shkruar Grenell si replikë ndaj gazetarit Tim Judah, kur e ka pyetur lidhur me marrëveshjen që mund të jetë nënshkruar në Shtetet e Bashkuara.
Wrong. You don’t know what you are talking about. No one is trying to move quickly and there is no grand deal. You are making stuff up. @timjudah1 https://t.co/TX2b3Y6a6R
— Richard Grenell (@RichardGrenell) March 3, 2020
Kritika ndaj Thaçit ka pasur sot gjatë ditës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që tha se nuk është në dijeni për takimin e presidentit me Vuçiqin.
“Jam në dijeni që është i interesuar të vijë në Kuvendin e Republikës. Besoj që para se të shkojë ka qenë dashur të vijë në Kuvendin e Republikës, para se të shkojë ka qenë dashur të vijë te kryeministri i ri i Kosovës në mënyrë që të diskutojmë dhe dakordohemi për politikën e jashtme. Ne duhet ta kemi një politikë të unifikuar të jashtme si Republikës e Kosovës dhe është gabim e dëm që nuk ka ardhur në institucionet tona para se të provojë të bëj dakordime me presidentin e Serbisë”, tha kryeministri Kurti.
Në anën tjetër, është lëshuar edhe një deklaratë nga departamenti i shtetit lidhur me takimin që Vuçiq e pati me sekretarin Pompeo.
Ky i fundit ka kërkuar nga shteti serb që të ulen sa më shpejtë në tavolinë të diskutimit dhe që të normalizohen marrëdhëniet mes dy shteteve.
Kosova ende nuk ka hequr dorë nga tarifa e vendosur për produktet serbe dhe boshnjake, ani pse një gjë e tillë është planifikuar që të ndodhë pjesërisht nga mesi i marsit.
Në shtetin serb ndërkaq sot kanë vazhduar me propagandë sa i përket tërheqjeve të njohjeve, duke paralajmëruar se njejtë kanë vepruar edhe Sierra Leone.