S’ka datë zyrtare për rihapjen e Aeroportit të Prishtinës
Rikthimi i fluturimeve nga Aeroporti i Prishtinës do të bëhet pas një vendimi të Qeverisë së Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara.
Gara duke folur për anulimin e fluturimeve të datës 13 dhe 14 qershor tha se fluturimet gjatë pandemisë nuk janë lejuar që të ketë fluturime të udhëtarëve, përveç atyre që janë riatdhesuar dhe këtu hyjnë edhe këto dy fluturime.
“Fluturimet gjatë pandemisë, shumica, janë anuluar prandaj edhe këto të datave të cekura nuk është se janë ndonjë përjashtim. Ndërsa sa i përket rikthimit të fluturimeve edhe në arritje me udhëtarë mbetet deri në vendimin e Qeverisë së Kosovës për lejimin e tyre”, ka thënë Gara për lajmi.net.
Ndërkohë, dy ditë më parë, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka kërkuar që hapja e kufijve ajrorë të Kosovës të mundësohet brenda dhjetë ditësh.
Këtë e ka bërë në një takim koordinues të bashkërendimit të veprimeve ndërinstitucionale për fillimin e fluturimeve për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.
Ndryshe, qytetarët e Kosovës, natyrisht nëse kanë viza, dhe ata të vendeve tjera të rajonit të Ballkanit perëndimorë, do të mund të udhëtojnë në vendet e BE-së nga 1 korriku kur do të duhej të hapeshin kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian.
Këtë propozim për vendet anëtare për hapjen e kufijve e ka dhënë sot Komisioni Evropian duke konfirmuar kështu se kufizimet për hyrje në BE, të caktuara deri me 15 qershor, do të vazhdojnë për vendete Ballkanit perëndimor edhe dy javë por do të duhej të hiqen prej 1 korriku.
Aeroporti i Prishtinës ishte mbyllur në muajin mars.