Sivjet numër më i vogël i lindjeve në QKUK
Edhe pse një numër i madh i grave shtatzëna nga gjithë komunat e Kosovës ende vazhdojnë të sjellin në jetë fëmijët e tyre në Prishtinë, sivjet janë 400 lindje më pak të regjistruara në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike (KOGj) të QKUK-së.
Këto shifra dhe të tjera të ndryshme që janë publikuar kohën e fundit janë tregues se nataliteti në Kosovë nga viti në vit është duke shënuar rënie.
Faktorë të ndryshëm social e ekonomik, sipas njohësve të fushës kanë ndikuar në këtë bilanc.
Statistikat thonë se vetëm brenda periudhës 2010-2016, në vend u shënuan 10 mijë lindje më pak. E nataliteti ka rënë edhe në krahasim me vitin e kaluar, sipas të dhënave që i ka Klinika Obstetrike Gjinekologjike e QKUK-së.
Këto të dhëna i ka bërë të ditura për FaktePlus drejtori i Klinikës Gjinekologjike Obstetrike, Jakup Ismaili, i cili tha se deri në tetor të këtij viti, ka pasur 7281 lindje në QKUK.
“Deri në tetor 2019 në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike kemi patur 7281 lindje, kurse të dhënat për spitalet rajonale nuk kemi. Nga statistikat e ASK mund të shihni që për vitet e kaluara, KOGJ kryen rreth 40% të lindjeve që ndodhin në Kosovë. Për rreth 400 lindje janë bërë më pak se viti i kaluar në këtë periudhë në QKUK”, ka thënë Ismaili.
Duke folur për raportin mashkull/femër, drejtori Ismaili ka deklaruar se janë lindur 3919 meshkuj dhe 3454 femra që kanë lindur deri në muajin tetor në QKUK.
“Janë lindur 3919 meshkuj dhe 3454 femra në KOGJ”, ka shtuar ai.
Megjithkëtë sipas tij, numri i lindjeve në gjithë Kosovën është më i madh, pasi që QKUK-ja nuk ka të dhëna lidhur me lindshmërinë që është bërë në spitalet rajonale.
Sa i përket rasteve të vdekjes gjatë lindjes, nga Klinika Gjinekologjike Obstetrike kanë bërë të ditur se nuk ka pasur ndonjë rast në këtë vit, ndërsa nuk kanë dhënë detaje mbi lindjet e rregullta e atyre me probleme.
Ndërsa duke folur në përgjithësi për shërbimet që i ka ofruar kjo klinikë gjatë këtij viti, Ismaili ka thënë se janë ofruar mbi 15 mijë shërbime në të cilat bëjnë pjesë intervenimet kirurgjike e ekzaminimet e tjera.
“Klinika jonë ka ofruar mbi 15 000 shërbime për pacientë deri më tetor 2019. Këtu bëjnë pjesë jo vetëm intervenimet kirurgjike dhe lindjet, por edhe shërbime tjera siç janë ekzaminimet ultrasonografike, ekzaminime gjinekologjike, CTG, EKG, etj”, ka deklaruar ai për FaktePlus.
Në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike (KOGj) puna është e organizuar dhe e distribuuar në 13 reparte të cilat kanë shefin e repartit dhe motrën kryesore.
Në këtë institucion janë të punësuar rreth 50 mjekë specialistë dhe rreth 200 infermiere me kuadër të mesëm mjekësor dhe disa infermiere me gradën bachelor. Po ashtu, duke marrë parasysh se KOGj shërben si qendër për edukimin specialistik këtu punojnë edhe dhjetëra mjekë në specializim.
Kurse të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2018 tregojnë se brenda territorit të Kosovës nëpër institucionet shëndetësore ku ofrohen shërbimet gjinekologjike, janë kryer 22 mijë e 870 lindje.
Nga ky numër lindje të gjalla kanë qenë 22761 (lindje të rregullta), kurse 109 janë lindje të vdekura (vdekje gjatë lindjes.)
Në këto shifra nuk janë përfshirë edhe lindjet që bëhen edhe jashtë territorit të Kosovës, e që është një numër prej mijëra sosh.
Ndryshe Kosova numëron 7 spitale të përgjithshme, në të cilat kryhen thuajse të gjitha shërbimet sikurse në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Këto janë qytetet e mëdha, si Prizreni, Ferizaj, Gjakova, Gjilani, Peja, Mitrovica dhe Vushtrria, por ka edhe në qytete tjera./FaktePlus