Sivjet 501 të huajt kërkuan azil në Kosovë
Derisa shumë të rinj të Kosovës dëshirojnë të ikin nga vendi dhe për destinim kanë vendet perëndimore, janë 501 të huaj nga vende të ndryshme të botës që sivjet kanë aplikuar për të fituar azilin në Kosovë.
Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme nga numri i gjithë atyre që kërkuan azil, është shumë më i vogël numri i personave që janë të akomoduar në Qendrën për Azil.
“Nga data i janar 2018 deri më 12 dhjetor 2018, kanë aplikuar për azil 501 persona. Kurse deri me datë 12 dhjetor 2018, në Qendrën për Azil, janë të akomoduar 38 azilkërkues”, thuhet në një përgjigje të MPB-së për FaktePlus.
Përfaqësuesit e ministrisë tregojnë se arsyet kryesore që këta persona kërkojnë azil në Kosovës, janë luftërat në vendet e tyre, por nuk përjashtohen edhe arsye të tjera, si ato ekonomike e të tjera.
“Arsyet e tyre janë të ndryshme. P.sh; disa nga arsyet me të shpeshta janë për shkak të luftës në vendin e tyre të origjinës, për shkak të bindjeve politike, përkatësisë etnike, etj… por që nuk përjashtohen edhe arsyet ekonomike”, thekson MPB-ja.
Rritet numri i atyre që dëshirojnë Kosovën për strehim
Derisa më parë numri i azilkërkuesve nuk ishte edhe shumë i madh dhe zakonisht Kosovën e shfrytëzonin si një vend transit dhe jo për destinacion, tani ka ndryshuar gjendja.
Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme këtë vit ka një numër dukshëm më të madh të atyre që e duan Kosovën për vend strehim.
“Në vitin 2017 i kemi pasur 147 aplikues/azilkërkues, ndërsa në vitin 2018 deri me datë 12.12.2018 i kemi 501 aplikues/ azilkërkues. Nëse i krahasojmë këto vite, i bije që në vitin 2018 i kemi pasur 354 aplikues/azilkërkues më shumë”, thonë statistikat e MBP-së.
Ndërkohë që institucionet përgjegjëse të Kosovës në Qendrën për Azil kanë akomoduar 38 azilkërkues nga vende të ndryshme.
Kushtet që ofrohen nga Qendra për Azil sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë të përshtatshme për çdo person.
Në këtë qendër ofrohet ushqim, veshmbathje, pako higjienike, shërbime mjekësore, e disa shërbime tjera.
“Përveç akomodimit/strehimit,Qendra për Azil ofron për aplikuesit/azilkërkuesit; ushqimin, veshmbathjet sipas nevojës, pako higjienike, shërbime mjekësore, sociale dhe psikologjike, shërbime juridike përmes parterëve të UNHCR-it, kurse të gjuhës shqipe dhe të kompjuterëve, etj”, bëhet e ditur në përgjigjen e MBP-së dhënë për FaktePlus.
Gjithë të huajt që kanë fituar të drejtën e qëndrimit në Kosovë edhe janë strehuar në Qendrën për Azil të Kosovës, e cila gjendet në Komunën e Lipjanit. Përveç institucioneve shtetërore të Kosovës, ekzistojnë edhe organizata joqeveritare, të cilat në shumë raste ndihmojnë në forma të ndryshme azilkërkuesit./FaktePlus