Si u mundësua kthimi nga Siria i 110 shtetasve kosovarë
Në mesnatën e së premtes, 74 fëmijë e 32 gra që po qëndronin në kampet e Sirisë, janë kthyer në vendlindje, përmes një operacioni në bashkëpunim me SHBA-në.
Së bashku me ta, janë kthyer edhe katër ushtarë pjesëmarrës të luftës së ISIS-it në Siri, raporton KTV.
Pas qëndrimit prej afër katër orësh në aeroport, me dy autobusë, janë dërguar në Qendrën për Mbajtjen e të Huajve në Vranidoll.
Takimi me ta u është pamundësuar edhe familjarëve.
Familjarët kanë thënë se kanë biseduar në telefon me të kthyerit, por që institucionet nuk kanë lejuar që të takohen, derisa fëmijët të kontrollohen.
Pasi që shumica e fëmijëve të kthyer janë të lindur në Siri, sipas familjarëve, gjatë qëndrimit të tyre në Vranidoll, do të vendoset edhe për shtetësinë e tyre.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se ishin angazhuar për këtë operacion që nga tetori.
Të kthyerit pritet të jenë afër familjeve, pas 72 orësh kur të kenë marrë të gjitha shërbimet e nevojshme shëndetësore.
Hulumtimet nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, patën rezultuar se qytetarët nuk dëshirojnë kthimin e luftëtarëve të zonave terroriste në vend.
Për këtë, drejtori i policisë, Rashit Qalaj, ka thënë se situata do të jetë nën kontroll.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, ka njoftuar se kanë ndaluar katër nga të kthyerit, pasi që ishin pjesë e luftës.
Besohet se më shumë se 400 qytetarë kanë shkuar në 7 vjetët e fundit në Siri, në luftën e Shtetit Islamik.
Prokuroria e shtetit ka ngritur aktakuzë për 119, ndërsa në fazën e hetimeve janë 156 qytetarë të tjerë.
Ne qendrën për të huaj në Vranidoll, të kthyerve u është dhuruar ushqim e kujdes, derisa qendra është e rrethuar nga forcat policore.