Si u karakterizua stabiliteti financiar në 2019 dhe rreziqet që BQK-ja sheh për vitin 2020?
Banka Qendrore e Kosovës, konsideron se indikatorët e sistemit financiar në Kosovë janë pozitiv, ndërkohë ka parashikuar edhe disa rreziqe që mund ta përcjellin Kosovën në vitin 2020.
Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë thënë, se sipas vlerësimeve preliminare në vitin 2019 rritja ekonomike ka qenë rreth 4.2 %.
Në një bisedë për lajmi.net Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së ka thënë, se kjo rritje është mbështetur kryesisht nga rritja e investimeve dhe përmirësimeve në eksportet neto.
Duke folur në tersi për indikatorët performues që ndikuan në zhvillimin ekonomik në Kosovë, ai thotë, se indikatorët e sistemit financiar janë pozitiv, derisa, sipas tij, sektori bankar në vitin 2019 vazhdoi me rritje të lartë të kreditimit, përmirësim të kushteve për qasje të sektorit privat në kredi, si dhe rritje të qëndrueshmërisë financiare.
“Në fund të nëntorit 2019, kreditë e sektorit bankar kanë kaluar shumën prej 2.98 miliardë euro. Rritja vjetore e kredive mbetet e lartë me normë vjetore prej 10%. Burimi kryesor i financimit të aktivitetit të sektorit bankar vazhdojnë të jenë depozitat, shuma e të cilave gjatë kësaj periudhe arriti në 3.75 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 16%. Kjo rritje e lartë e depozitave mes tjerash reflekton edhe besimin e lartë të publikut në sektorin bankar. Normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke zbritur në 6.5% nga 6.6% sa ishin në periudhën e njëjtë të viti të kaluar, gjë që reflekton përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të tregut dhe lehtësimin e qasjes në financim bankar”, tha Ahmeti.
Ai thotë, se treguesit e shëndetit financiar vazhduan të tregojnë nivel të lartë të qëndrueshmërisë së këtij sektori në të gjitha aspektet.
“Vlen të theksohet posaçërisht cilësia shumë e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej vetëm 2.1% në tetor 2019, e cila shënoi rënie të mëtutjeshme në krahasim me vitin e kaluar kur ishte 2.7%. Cilësia e portofolit kreditor jo vetëm që është më e larta në rajon, por është më cilësore edhe krahasuar me disa ekonomi të Bashkimit Evropian”, tha zëdhënësi i BQK-së.
Meqë Banka Qendre vazhdon të veprojë në funksion të mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit financiar, duke siguruar infrastrukturën e nevojshme ligjore dhe mbikëqyrëse për të mbështetur zhvillimin e institucioneve financiare, sipas Ahemtit, BQK do të vazhdojë si mbikëqyrës i sistemit financiar të sigurojë që bankat në Kosovë të vazhdojnë të kenë nivele adekuate të mjaftueshmërisë së kapitalit dhe likuiditetit, të cilat do të mundësojnë rritjen e kreditimit dhe ofrimin e shërbimeve tjera financiare.
Sipas Ahmetit, të gjithë indikatorët financiar tregojnë një stabilitet të lartë të sistemit financiar dhe se të gjithë treguesit e shëndetit financiar të sektorit bankar janë të kënaqshëm dhe tregojnë që sektori bankar do të mbetet i tillë edhe në vitet në vijim, më specifikisht sipas vlerësimeve të mjedisit ekonomik aktual bankat do të vazhdojnë të kenë nivele të kënaqshme të mjaftueshmërisë së kapitalit dhe likuiditetit, si dhe nivele të ulëta të kredive jo-performuese.
Por, sipas BQK-së, zhvillimet negative në tregjet ndërkombëtare mund të ndikojnë negativisht në performancën e fondeve pensionale që operojnë në Kosovë.
“Megjithatë, këto efekte mund të jenë siç kanë qenë në disa raste në të kaluarën vetëm të përkohshme”, thotë zëdhënësi Ahmeti.
Sipas BQK-së, derisa ekonomia e Kosovës shënoi rritje të qëndrueshme ekonomike, përkundër dinamikave të pafavorshme në ekonomitë e partnerëve kryesor tregtarë.
“Sidoqoftë, prospektet për rritje ekonomike në gjysmën e dytë të vitit 2019 por edhe në vitin 2020 mund të ndikohen negativisht nga rritja e rreziqeve të jashtme, të cilat mund të ndikojnë në zvogëlimin e burimeve të jashtme të financimit dhe për pasojë në rënien e kërkesës vendore dhe të eksportit të mallrave. Edhe rreziqet e brendshme, që kryesisht ndërlidhen me vonesat potenciale në konsolidimin e institucioneve, mund të ndikojnë në një nivel më të ulët të realizimit të shpenzimeve kapitale dhe për pasojë të rezultojnë në rënie të kërkesës së brendshme”, konsideron BQK-ja.
Po sipas BQK-së, dinamikat që e karakterizuan ekonominë globale gjatë gjysmës së parë të vitit 2019, u përkthyen në rritje të rreziqeve për ekonominë dhe tregjet e jashtme financiare, kryesisht si pasojë e rritjes së proteksionizmit, pasigurive gjeopolitike, si dhe pasigurive lidhur me Brexit. Këto dinamika pritet të vazhdojnë, duke sinjalizuar kështu rrezik për aktivitetin ekonomik dhe sektorin financiar të partnerëve kryesorë tregtarë të Kosovës, me ndikim potencial negativ edhe në ekonominë dhe stabilitetin financiar në vend.
Ekonomia e Eurozonës, si partneri kryesorë tregtar i Kosovës dhe vendi me origjinën më të lartë të remitencave ngadalësoi rritjen ekonomike.