Si u anulua konkursi për noterë dhe dhjetëra persona mbetën pa punë
Qeveria Kurti me të marrë mandatin ka filluar punën me shkarkime të zyrtarëve e anulime të vendimeve që ishin marrë nga qeveria e kaluar.
Sot, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu edhe zyrtarisht ka njoftuar se ka mori vendim për anulimin e provimit për noterë.
Me anulimin e këtij konkursi të afërm e familjarë të politikanëve tashmë do të mbesin pa punë.
Haxhiu tha se kjo çështje ka ngjallur shumë debate, duke shtuar se ky proces nuk mund të shtyhet përpara për shkak të mungesës së ligjshmërisë dhe transparencës.
“Sipas legjislacionit në fuqi, provimi i noterisë mbahet dhe përfundon duke pasur për bazë parimin e ligjshmërisë, transparencës dhe objektivitetit. I njëjti proces nuk ka pasur as ligjshmëri as transparencë, as objektivitet. Në këtë drejtim unë si ministre e drejtësisë nuk mund të shtyjë përpara një proces të komprometuar. Nuk mund të shtyjë përpara një proces ku shumica e kandidatëve që kanë kaluar provimin e noterisë janë militantë partie, anëtarë apo miq të anëtarëve të komisionit të noterisë. Si ministre e drejtësisë, sot kam marr vendim pas konsultimeve që i kam bërë me kabinetin tim dhe departamentet përkatëse brenda Ministrisë së Drejtësisë që ta anulojë procesin e noterisë të shpallur më 19 prill 2019”, ka thënë Haxhiu, raporton FaktePlus.
Ministrja Haxhiu tha se konkursi i ri do të shpallet pasi të përfundojnë disa procese, por nuk do të shkojë shumë gjatë.
Haxhiu ka shtuar se ky proces është duke u hetuar edhe nga ana e Prokurorisë.
Po ashtu ministrja ka bërë të ditur se të gjitha pagesat që janë bërë nga kandidatët që i janë nënshtruar provimit të noterisë do të kthehen.
“Konkursi do të shpallet sa t’i bëjmë disa procedura tona të brendshme dhe vendimi i dytë është që në kemi shfuqizuar vendimin për emërimin e komisionit për zgjedhje të notereve dhe anëtarët që janë zgjedhur nga ish- ministri, ata kanë mandat 3 vjeçar por ne e kemi shfuqizuar. Anulimi i këtij procesi do të udhëhiqet nga transparenca dhe ky vendim është sinjal i qartë që procese të tilla nuk do të ndodhin asnjëherë”, tha ajo.
Ndërsa, duke folur për vendimin e sotëm ka shtuar se ky vendim nuk është hakmarrje ndaj dikujt, por se më këtë dëshiron të jep sinjale se ministria do të punojë me transparencë.
Procesi i noterisë në Kosovë përveç nga shoqëria civile është kundërshtuar ashpër edhe nga bashkësia ndërkombëtare, të cilët kanë bërë të ditur se në të ardhmen emërimi i noterëve do të mbikëqyret nga Unioni Ndërkombëtar i Noterëve.
E para e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me të ardhur në pushtet kishte paralajmëruar se do të rishqyrtohen të gjitha vendimet e marra nga ish-ministri i këtij Dikasteri Abelard Tahiri, duke përshirë këtu edhe emërimin e 79 noterëve për 35 komuna të Kosovës./FaktePlus