Si po arrijnë të ikin të burgosurit nga burgjet e Kosovës
Burgjet konsiderohen të jenë vende me siguri të lartë. Aty “banojnë” personat që ngarkohen me vepra të ndryshme, madje edhe me vrasje. Të burgosurit gjithnjë janë në mbikëqyrje të gardianëve, por këta të fundit nganjëherë nuk po janë të “vëmendshëm” dhe herë pas herë po ndodhin ikje.
Pra, stafit të burgjeve nëpër Kosovë po iu ikin të burgosurit. Rastet e raportuara kanë treguar se hiç të vështirë nuk e kanë të ikin të dënuarit që vuajnë dënimin në burgjet e tipit të hapur.
E këto arratisje nga burgjet po paraqesin problem serioz në sigurinë e institucioneve korrektuese.
Kemi rastin e javës së fundit ku një i burgosur arriti që të ikte nga burgu.
Vetëm gjatë vitit 2019-2020 nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK), katër të burgosur që ishin dërguar aty për trajtim, nuk janë kthyer më në vendin për të vuajtur dënimet.
Kështu kanë bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus zyrtarë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
E arratisjet e të burgosurve duke kaluar çdo barrierë, siç thotë Betim Musliu nga IKD, është e pamundur pa ndihmën e oficerëve korrektues dhe zyrtarëve të sigurisë së lartë.
“Deri tash, ka pasur spektakle të arratisjes së të burgosurve me rrezikshmëri të lartë, të cilët kanë arritur çdo barrierë ta kalojnë. Është pothuajse e pamundur që të ndodhin këto arratisje, pa pasur bashkëpunim me oficerët korrektues dhe zyrtarët më lartë. Futja e gjësendeve të rrezikshme dhe e armëve të zjarrit e armëve të ftohta përbën rrezikun më të madh të sigurisë për tu arratisur nga burgjet”, ka thënë Musliu.
Për shkak të ikjes së të burgosurve, disa zyrtarë edhe u suspenduan. Siç ka treguar për FaktePlus, zyrtari për informim nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, Florent Gashi, pas ikjeve të disa të burgosurve ndaj tetë zyrtarëve është marrë masa e suspendimit me pagesë.
“Për këto raste janë zhvilluar procedura disiplinore dhe janë ndërmarrë masa të suspendimit me pagesë për 8 zyrtarë”, tha Gashi për FaktePlus.
E sipas Musliut, asnjëherë nuk ka pasur llogaridhënie të duhur nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për të gjitha dështimet e stafit në ofrimin e sigurisë.
“IKD vlerëson se asnjëherë nuk ka pasur llogaridhënie të duhur në Shërbimin Korrektues të Kosovës, për të gjithë dështimet e stafit korrektues në ofrimin e sigurisë, përfshi menaxhmentin, i cili është përgjegjësi kryesor. Po ashtu, ndjekja nga prokuroria gjithmonë ka dështuar në këtë segment që të zbardhë rastet deri në fund, ndërsa kësaj i shtohet edhe politika e dënimeve nga gjykatat në këto raste, e cila asnjëherë nuk ka qenë adekuate për të arritur qëllimin e dënimit”, potencoi Musliu.
Ai nuk e përjashton mundësinë që arratisjet ndodhin edhe në vendet demokratike, por që thekson se në ato vende nuk mungon llogaridhënia.
Për çka në Kosovë masat që ndërmerren në arratisjet spektakulare janë qesharake.
“Arratisjet nga burgjet ndodhin edhe në vendet demokratike, por llogaridhënia në këto raste nuk mungon. Në Kosovë, masat e ndërmarra janë qesharake, në rastet kur ka arratisje spektakulare të të burgosurve edhe kur vërtetohet dështimi i të gjitha hallkave të sigurisë. Kjo paraqet rrezik edhe për shoqërinë, sepse në rastet kur arratisen të burgosur me rrezikshmëri të lartë, kjo përbën rrezik të përhershëm që të njëjtit mund të kryejnë vepra të ngjashme penale, duke rrezikuar jetën e qytetarëve të lirë”, shpjegon Musliu.
Qendra Korrektuese në Dubravë dhe Smrekoncië janë qendrat nga ku më së shumti ka pasur arratisje të të burgosurve meqë janë të tipit gjysmë të hapur.
Musliu tregon metodat që përdorin të burgosurit për të ikur nga burgjet.
“Të burgosurit përdorin mjetet e komunikimit, armët e ftohta dhe të zjarrit, si dhe bashkëpunimin e oficerëve korrektues, të cilët korruptohen për t’ua mundësuar arratisjen. Kemi pasur disa arratisje, të cilat kanë kaluar lehtë dhe kanë ngjarë sikurse në dalje të rregullt nga burgu”, tregon Musliu.
Kurse Florent Gashi nga Shërbimi Korrektues tha se të burgosurit ikin kryesisht duke keqpërdorur hospitalizimin dhe lejen e shfrytëzimit të vikendit.
“Këta persona kane arritur të largohen kryesisht nga SHSKUK duke e keqpërdorur hospitalizimin, si dhe duke keqpërdorur lejen e shfrytëzimit të vikendit”, tregoi Gashi.
Të dielën, më 9 shkurt, nga Pavijoni Gjysmë i Hapur i Qendrës Korrektuese të Dubravës, ishte arratisur një i burgosur.
Tri ditë më vonë, Policia e Kosovës ka arritur që ta arrestoj të arratisurin, i cili në Dubravë ishte duke e vuajtur dënimin për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik, se sot rreth orës 10:00 pas letër – rreshtimit të lëshuar nga SHKK, për të larguarin nga Pavijoni Gjysmë i Hapur i Q. K Dubravë, M.K, policia e Kosovës ka arrestuar të njëjtin. M.K më datën 09.02.2020 ishte larguar nga Pavijoni Gjysme i Hapur i Q. K Dubravë, ku po mbante dënimin për veprën penale, sulm ndaj personit zyrtarë”, thuhej në njoftimi e Shërbimit Korrektues të Kosovës./FaktePlus