Si përfundoi arma zyrtare e konfiskuar në duar të polices që vrau familjen dhe veten
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, deklaroi së Inspektorati Policor i Kosovës është duke hetuar se si përfundoi arma zyrtare në skenën e krimit që ndodhi dje në Gjilan.
Qalaj tregoi kur i ishte konfiskuar arma zyrtares policore, e cila po dyshohet t’i ketë vrarë të dy prindërit dhe dy vëllezërit, e më pas edhe veten.
“Arma i është konfiskuar, më mirë të themi i është marrë në vitin 2017. Qe nga viti 2017 ka qenë në sefin e përcaktuar në kuadër të stacionit policor”.
“Rrethanat se si ajo ka arritur që të jetë në posedim të armës zyrtare të saj këto ditë, janë duke u hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës”.
“Kur kemi shkuar në vendin e ngjarjes dhe është konstatuar se është përdorë arma zyrtare, kemi kërkuar që edhe në këtë pjesën e hetimeve brenda në stacion, të kyçen nga Inspektorati Policor në mënyrë që ta dimë saktë se si ajo ka qenë në pronësi të saj”.
Drejtori i Policisë gjithashtu shpjegoi procedurat se si dorëzohen armët e zyrtarëve policorë dhe ku ruhen ato.
“Procedura për të gjitha armët e zyrtarëve policorë, qoftë në raste kur shkojnë në pushim vjetor apo të ndryshme, zakonisht në shumicën e rasteve policët i dorëzojnë armët në stacionet policore përkatëse. Në kuadër të strukturës organizative është një përgjegjës për armët dhe ka protokoll të vendosur, dorëzohet në pranim-dorëzim dhe janë sefat e veçantë ku vendosen armët”.
“Ato armë i vendosim në sefat që janë në kuadër të zyrave të stacionit policor. Për marrjen e armës zakonisht gjithmonë informohet mbikëqyrësi i parë, varësisht në vendin ku punon zyrtari policor”.
Qalaj tërhoqi vërejte për opinionin publik sa i përket vendit të ruajtjeve të armëve, me ç’rast theksoi se Dhoma e Dëshmive dhe vendi ku ruhen armët e zyrtarëve policore – ata që janë në pushim, të suspenduar apo diçka e tillë – janë të ndryshme.
Ai theksoi se Dhoma e Dëshmive është për raste të konfiskimit të armëve që janë të përfshira në raste penale.