Si pa krahë e me krahë, kryetari nuk shpenzon paratë për investimet kapitale
Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti edhe sivjet në vitin e parë të mandatit të dytë të qeverisjes është larg të shpenzojë buxhetin e planifikuar për investime kapitale, edhe pse kryeqyteti ka nevojë për investime të tilla. Bazuar në raportin dhjetë mujor, nga 1 janari deri më 31 tetor, që ka siguruar FaktePlus shihet se për këtë linjë qeveria e Ahmetit nuk ka shpenzuar as gjysmën e buxhetit, respektivisht miliona euro pritet të teprojnë dhe do të barten për vitin tjetër.
Kryetari nuk dihet se kë do ta fajësojë sivjet që nuk po mund ta realizojë planin buxhetor të cilin ia miratoi edhe Kuvendi qysh në fillim të vitit. Që të jetësohet buxheti që Ahmeti e planifikoi për sivjet, duhet që me të gjitha kapacitet të punojë në muajin dhjetor.
Por, kjo do të jetë e pa mundur, pasi në këtë muaj është e pa mundur të punohet dhe shifrat janë tejet larg. Për dhjetë muaj qeverisje, nga 1 janari deri më 31 tetor, qeveria e Ahmetit nuk ka arritur të shpenzojë as gjysmën e buxhetit ( vetëm 45 për qind), respektivisht miliona euro pritet të teprojnë dhe do të barten për vitin tjetër, shkruan FaktePlus.
Sipas raportit, i gjithë buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2018 është në vlerë prej 72,312,149.00 euro. E nga 1 janari deri më 31 tetor, ose për dhjetë muaj, Komuna këtë buxhet për gjithë sektorët e ka shpenzuar në vlerë prej 47, 353, 838. 61 euro, ose fiks 65.52 për qind.
Bazuar në të dhënat e raportit shihet se të gjitha kategoritë e shpenzimeve janë duke shkuar sipas planifikimeve, siç janë pagat, mallrat dhe shërbimet, shërbimet komunale, subvencionet.
Mirëpo, nuk po shkojnë si duhet edhe investimet kapitale, prej të cilave varet zhvillimi i kryeqytetit. Ato kanë qenë të miratuara në vlerë prej 24,954,207.00 euro, ndërsa janë shpenzuar, 45 për qind e tyre, ose gjithsej 11,415,468.85 euro.
Sipas dokumentit të komunës, për periudhën 10 mujore, për paga janë shpenzuar 24,383,189.34 euro, mallra dhe shërbime 8,877,950.32 euro, shpenzime komunale 1,550,973.00 euro, subvencionet 1,126,257.10 euro.
Të hyrat jo proporcionale
Trendi i të hyrave, sipas të dhënave të Komunës është i çakorduar. Në shumë burime ka tejkalim të të hyrave për disa herë, e në disa raste ka dështim.
Për gjithë vitin fiskal janë paraparë që të hyrat të jenë në vlerë prej 29,574,132.00 euro, kurse për dhjetë muaj ato kanë arritur në vlerën prej 22,201,635.85 eurove.
Të hyrat nga qiraja e banesave dhe renta kanë qenë të planifikuara që për 12 muaj të jenë në vlerë prej 250 mijë eurove, por për 10 muaj, Komuna ka arritur të mbledhë vetën 3.7 për qind të këtyre mjeteve, ose 7673 euro.
Keq është duke shkuar dhe plani i të hyrave nga menaxhimi i mbeturinave, ku nga data 1 janar, Komuna e ka marrë përsipër të mbledh vetë taksën e mbeturinave të cilën e ka bërë Kompania Regjionale “Pastrimi”.
Për tërë vitin fiskal, Komuna kishte planifikuar të hyra nga ky sektor në vlerë prej 4,488,750.00 eurove, ndërsa për 10 muaj ka mbledhur vetëm 1,286,005.44 euro, ose 28.6 për qind të planit.
Edhe të hyrat nga lejet e ndërtimit kanë filluar të shënojnë rënie ndër vite. Po ashtu edhe taksa për shërbime arsimore ka ngecur.
Komuna ka tejkaluar planin në disa fusha. Të hyrat vjetore për taksen “infrastruktura rrugore” ishte planifikuar të jetë 30 mijë euro, por kjo shumë ishte keq planifikuar nga Komuna, pasi të hyrat për dhjetë muaj nga kjo kategori kanë arritur mbi 700 herë mbi planin, ose 2,142,953.99 euro. Po ashtu, edhe mjetet nga gjobat në trafik që inkasohen nga Policia e Kosovës e që më pas i janë alokuar Komunës janë në vlerë prej 1,462,836.00, ndërsa kanë qenë të planifikuara që të inkasohen 400 mijë euro./M.B-FaktePlus