Si janë të vendosura forcat e NATO-s në Evropën Lindore
Kërcënimi i një pushtimi të Ukrainës nga ana e Rusisë i ka dhënë një rëndësi shumë të madhe mbrojtjes së SHBA-së dhe NATO-s në Evropën Lindore.
NATO ka 4 batalione në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, që funksionojnë me rotacion. Secili prej batalioneve është i udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Gjermania ose SHBA, dhe përmban trupa nga disa vende anëtare të NATO-s. Muajin e kaluar, Aleanca tha se të katërta batalionet “janë të forta dhe gati për luftë”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se NATO është gjithashtu gati që të përforcojë edhe më tej prezencën e saj në Evropën Lindore, duke dërguar trupa të tjerë në zonë.
Ndërkohë, SHBA ka bazat e veta në Lituani dhe Rumani, bashkë me disa baza në Poloni. Presidenti Joe Biden, javën e kaluar, aprovoi dërgimin e 3000 trupave shtesë në Poloni, Gjermani dhe Rumani.