Si ishte arrestuar Nezir Mehmetaj në Merdare, tregon nëna e tij
Mehmetaj është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Merdare teksa po kthehej në Kosovë.
Në orët e hershme të së premtes së premtes, Nazlie Mehmetaj bashkë me të birin e saj Nezirin mori rrugën drejt Nishit të Serbisë, për të kërkuar shërim.
Por Nazlie Mehmetaj nga ky rrugëtim u kthye pa djalin e saj.
Nezir Mehmetaj në pikëkalimin kufitar në Merdare u arrestua me urdhërarrest të lëshuar nga gjykata serbe.
Nëna e tij ka treguar se i biri i cili jeton në Zvicër, asnjëherë më parë nuk kishte kaluar nëpër këtë kufi.
Pas një pritjeje prej 5 orësh, nënë e bir bashkë me një të afërm kaluan kufirin.
Aty ua lëshuan disa dokumente, përmes të cilave atyre do t’iu mundësohej edhe kthimi.
Pas vizitës te doktori familja Mehmetaj mori rrugën drejt Kosovës. Por ky rrugëtim iu zgjati më shumë se që e kishin menduar.
Të njëjtat dokumente që iu kishin lëshuar në kufi paraprakisht, tash po iu nxirrnin telashe.
Sa ishte bashkë me familjarët në veturë, Nezirin e kishin pyetur për emrin e prindit.
E fill pas kësaj 49-vjeçarin e morën me vete.
Nazlie Mehmetaj bashkë me një të afërm e kishin pritur për tri orë me radhë kthimin e të birit, por kjo pritje nuk u rezultoi e suksseshme.
Neziri i cili kishte shkuar si 17 vjeçar për të jetuar në Zvicër, nuk kishte qenë as gjatë luftës në Kosovë. Prandaj familja nuk ka ndonjë ide se pse mund ta kenë ndalur.
E vetmja arsye që mund të ekzistojë sipas tyre është pasi që babai i Nezirit, Mustafa, kishte qenë i arrestuar nga serbët gjatë periudhës së luftës, raporton T7.
Atij para dy javësh, i është vazhduar paraburgimi. Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Jashtmë, Glauk Konjufca.
Konjufca, ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian që ta marrin masa në mënyrë që Serbia të reflektojë.
“Autoritetet serbe ia kanë vazhduar paraburgimin kosovarit Nezir Mehmetaj i cili ishte arrestuar në Merdare derisa po kalonte kufirin në janarin e vitit 2020. Ministria e Jashtme e Kosovës thërret partnerët ndërkombëtarë, SHBA’në dhe BE’në që të kërkojnë nga Serbia ta ndalë këtë praktikë”, ka shkruar ai.