Si duhet vepruar tani Kosova për anëtarësim në INTERPOL
Institucionet e Kosovës ditë më parë edhe njëherë kanë aplikuar për anëtarësim në organizatën më të madhe botërore të policisë, INTERPOL. Kjo edhe i alarmoi qeveritarët serbë, të cilët menjëherë u aktivizuan dhe nisën fushatë që të pengojnë Kosovën. Për këtë shkak, njohësit e kësaj çështje rekomandojnë që kësaj radhe të punohet ngushtë me shtetet mike të Kosovës, në mënyrë procesi të përmbyllet suksesshëm me anëtarësim.
Me të aplikuar Kosova, është ministri e serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, ai që ka filluar të bëjë përpjekjet e sërishme për ta ndaluar Kosovën që të anëtarësohet në këtë organizata ndërkombëtare të policisë.
Ai u ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të Interpolit, Jurgen Stcok dhe kryetarit të Interpolit, Kim Jong, ku dhe u bën thirrje të mos e pranojnë Kosovën.
Madje, Stefanoviq letër u ka dërguar letër edhe të gjithë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të përcjellë me lutje të posaçme për secilin që në takimin e ardhshëm të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës.
Kjo fushatë e Serbisë kundër Kosovës nuk është e papritshme për zyrtarët e shtetit të Kosovës.
Shefi i Kabinetit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Mentor Tahiri thotë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se institucionet e Kosovës do të përpiqen të bëjnë punën si duhet, në mënyrë që Kosova këtë vit të bëhet pjesë e INTERPOL-it.
“Është e pritshme që do të ketë fushatë nga ana e Serbisë, e cila sikurse edhe vitin e kaluar do të përdor gjithë resurset e saj që të pengojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në INTERPOL. Një letër e tillë është dërguar edhe vitin e kaluar, me anë të së cilës u provua që të pengohet fillimisht vendosja në agjendën e votimit për anëtarësim. Pavarësisht kësaj, Republika e Kosovës, do të zhvillojë një fushatë lobuese në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, shtetet mike”, ka potencuar Tahiri.
Edhe pse rreshtimet gjeopolitike të shteteve nuk kanë ndryshuar shumë me vitin e kaluar dhe kjo do ta vështirësoj suksesin e Kosovës, Tahiri shprehet optimist për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.
Këtë optimizëm Tahiri e mbështet në faktin se ka qeveri që edhe pse nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë konstruktive sa i përket angazhimeve kundër krimit tejkufitar.
“Vështirësi sigurisht që ka, ngase rreshtimet gjeopolitike të shteteve nuk kanë ndryshuar shumë në raport me vitin e kaluar. Megjithatë ka disa qeveri të cilat megjithëse nuk njohin pavarësinë e Kosovës, janë plotësisht konstruktive sa i përket angazhimeve kundër krimit tejkufitar dhe përgjithësisht janë pro përmirësimit të sigurisë në plan ndërkombëtar. Në këtë drejtim e shohin edhe anëtarësimin e vendit tonë në INTERPOL”, shpjegon Tahiri.
Duke parë ofensivën serbe kundër Kosovës, njohësit e çështjeve të sigurisë rekomandojnë që kësaj radhe të punohet ngushtë me shtetet mike të Kosovës, në mënyrë procesi të përmbyllet suksesshëm me anëtarësim.
Hulumtuesi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Platori Avdiu thotë kësaj radhe institucionet përgjegjëse të Kosovës duhet të bëjnë vlerësim të detajuar që paraprakisht të dihet se cilat janë gjasat për anëtarësim.
“Institucionet e Kosovës duhet të bëjnë një vlerësim dhe skanim të tërësishëm të gjendjes për dështimin e anëtarësimit në këtë organizatë në vitin e kaluar. Po ashtu, duhet të vlerësohet nëse Kosova ka gjasa më të mira për anëtarësim këtë vit… Pa u bërë kjo është kundër-produktive për Kosovën”, ka thënë ai.
Pavarësisht kësaj, Avidu thotë se cilido hap që do të ndërmerret në të ardhmen nga institucionet e Kosovës, duhet të bëhet në bashkëpunim të plotë me shtetet mike të Kosovës, në mënyrë që kjo të rezultojë suksesshëm me anëtarësim në INTERPOL.
Kujtojmë se Kosova ka aplikuar disa herë për anëtarësim në INTERPOL. Por, pasi hyrë në rend dite për shqyrtim me 20 nëntor të vitit të kaluar, Kosova ka dështuar të anëtarësohet në organizatën më të madhe policore INTERPOL, pasi nuk mori votat e mjaftueshme të shteteve anëtare të kësaj organizate./Sh.A – FaktePlus