Shumë zhurmë e dyshime për sheshin e Suharekës
Njëri prej projekteve më të mëdha në Suharekë që pas përfundimit të luftës, ndërtimi i sheshit të qytetit, ka filluar së jetësuari para dy javësh. E për sheshin ka pasur goxha pakënaqësi nga opozita. Shumica e tyre kanë qenë me mospërfundimin paraprak të disa rrugëve tjera, dhënia e tenderit për kompaninë “Hidroterm” që për pronar e ka Blerim Kuçin e AAK-së, parti të cilës i takon edhe kryetari Bali Muharremaj. Mandej janë shqetësimet e ngritura për tollovinë në trafik e paqartësitë se a do të jetë shesh i hapur apo i mbyllur, etj. Megjithkëtë nga komuna thonë se nuk ka bllokada e gjithçka po kryhet sipas ligjit.
Mospërfundimi me kohë i një rruge alternative, derisa e ka fituar tenderin kompania e afërt me kryetarin, sipas LDK-së në Suharekë, ka çuar në zvarritjen e punimeve për ndërtimin e sheshit të qytetit. Sipas kryetarit të degës, Ardian Shala tërë këtë proces e ka karakterizuar keqmenaxhimi, tollovia e paqartësitë.
Ai tha se nuk janë kundër projektit, por kundër fazës së punimeve e keqmenaxhimit, pasi nuk janë projektuar paraprakisht rrugë alternative për të filluar pastaj me punimet për shesh.
“Pushteti e ka shpall tenderin për atë rrugën alternative e vetëm e vetëm që si ka ardhur tenderi dikujt prej tyre. Kështu ajo veç është shty, e deri e kanë dërgu për shqyrtim në OSHP në Prishtinë. D.m.th është zvarrit aq shumë ajo pjesë, pjesa që e lidh Shirokën me Reqan, pjesë që e kish zbrazë këtë pjesën e qendrës dhe kjo ka bë një tollovi të madhe… Sheshi prapëseprapë ka me u mbyll, por neve çka na shqetëson fakti është me të vërtetë e rëndësishme, ja kemi bërë këtë pyetje tri herë kryetarit, por nuk na ka dhënë sqarim të duhur sepse projektuesit i është dhënë detyrë për ta bërë shesh të mbyllur për qarkullim të lirë të njerëzve e kryetari po deklarohet që është shesh i hapur”, ka deklaruar Shala për FaktePlus.
Sipas Shalës, problemet kanë nisur qysh në start të punimeve dhe ato po vazhdojnë me tollovi në rrugë, e pritet të përkeqësohen me përkeqësimin e motit e ardhjen e mërgimtarëve.
“Qysh ditën e parë ka pasur parregullsi: Nuk kanë qenë tabelat shenjëzuese për të tregu që kemi të bëjmë më rrugë të ndërpreme. Kur kanë mbërri aty e kanë pa që rruga po ndërpritet. Kur kanë dalë aty ka pasë edhe fjalosje. Tash vetëm rritet fluksi i njerëzve dhe problemet kanë me u rrit dita-ditës dhe tash është koha e të reshurave bëhet edhe më vështirë. Ashtu ashtu ka qenë e vështirë, Suhareka ka qenë gjithmonë me kolona”.
Ai thotë se me trendin aktual të punimeve, është shumë e vështirë që faza e parë e punimeve të përfundojnë brenda 300 ditësh, ashtu siç është paraparë me kontratë.
“Tash vetëm firma që ka fillu me punime i ka diku vetëm 300 ditë ditë të punës. Vetëm kjo tregon se kjo fazë mund të shkojë deri në tri vjet. Llogarite për tri vjet çka mundet me u ba aty. Koha kur është me të reshura, aty nuk punohet, pastaj vikendet e festat. Kjo ka me bo një zvarritje jashtëzakonisht të madhe”, ka potencuar Shala.
Shqetësime për ecurinë e punimeve ka edhe nga radhët e PDK-së. Asamblisti Dardan Berisha ka thënë për FaktePlus se punimet edhe ashtu janë të ngadalta dhe përkeqësimi i motit që pritet të ndodhë, do ta ngadalësojë edhe më tej këtë proces.
Ai ka treguar se si grup i asamblistëve kanë propozuar formimin e një komisioni që do ta mbikëqyrë këtë çështje.
“Qëndrimi jonë është se ne nuk jemi kundër sheshit, ne jemi kundër vazhdës së punimeve të cilat janë duke vazhduar në një intensitet shumë të ngadaltë. Tash jemi në kohën e dimrit, gjithsesi që do të ketë edhe reshje atmosferike shiu ose bore të cilat e ngadalësojnë edhe më tutje zhvillimin e punimeve dhe e pamundësojnë kryerjen e punimeve me kohë. Ne realisht kemi rekomandu në asamble që të formohet edhe një komision dhe të përcillen punimet”, ka thënë Berisha.
Ai shton se nga monitorimi i punimeve që së bashku me grupin parlamentar të PDK-së ia kanë bërë sheshit të qytetit, kanë konstatuar se nuk ka fuqi punëtore e as makineri të nevojshme për t’i zhvilluar punimet me intensitet të lartë.
“Ne kemi vizituar vendin ku janë duke u kryer punimet, me shefin e grupit dhe gjithë asamblistët tjerë të PDK-së dhe kemi pa që punimet janë duke shkuar me intensitet shumë të ngadaltë. Aty ka një makineri shumë të paktë, të mangët dhe një fuqi punëtore që nuk i plotëson standardet për me i vazhdu punimet me një intensitet të lartë”, ka deklaruar Berisha.
Të panevojshëm këtë projektin për sheshin e qytetit po e konsiderojnë edhe nga dega e Lëvizjes Vetëvendosje. Në përgjigjen e tyre të dhënë për FaktePlus, potencojnë se ky projekt do t’i dëmtojë edhe bizneset që operojnë në atë pjesë të rrugës.
“Projektin për ndërtimin e sheshit nuk e konsiderojmë njërin nga projektet më me prioritet për Komunën e Therandës, sipas statistikave rreth 1000 banorë në vit janë larguar nga Theranda këto 5 vitet e fundit, andaj një projekt i tillë milionësh nuk ka qenë i domosdoshëm. Ky projekt pa dyshim që më së shumti do t’i dëmtojë bizneset të cilat operojnë në këtë pjesë të rrugës. Gjithashtu është ende e paqartë se a do të jetë i hapur apo i mbyllur, pasi që në projekt shkruan se sheshi do të jetë i mbyllur ndërsa kryetari në mbledhjen e jashtëzakonshme të asamblesë u zotua së do të jetë i hapur”, kanë thënë nga kjo parti.
Nga Vetëvendosja janë të bindur se në të ardhmen do të krijohet tollovi dhe se projekti nuk do të përfundojë me kohë.
“Duke u bazuar në afatet e parapara në kontratë për fillimin e punimeve, ato do të duhej të fillonin më së largu më datë 23 shtator, por punimet kanë filluar një muaj më vonesë, pra në fund të muajit tetor, duke u bazuar nga fakti që rruga Brigada 123 është rruga kryesore e qytetit dhe e cila është rrugë magjistrale, shkarkimi i kësaj rruge në rrugica padyshim që do të krijojë tollovi në komunikacion. Duke u bazuar në faktin që punimet kanë filluar me një muaj vonesë dhe se punimet kanë filluar me intensitet të ulët, dhe në faktin që aktualishit janë duke punar më së shumti 5 punëtorë, jemi të bindur që përfundimi i kësaj kontrate do t’a kaloj afatin e paraparë në kontratë”, kanë deklaruar nga VV-ja.
Se është ngutur me fillimin e projektit dhe se do të bëhet tollovi, mendojnë edhe nga PSD-ja. Asamblisti i kësaj partie, Leonard Shala ka thënë për FaktePlus se fillimisht është dashur të përfundojë një rrugë unazore.
“Ish dashtë paraprakisht me përfundu projekti i rrugës unazore e pastaj me fillu sheshi. Nuk është bërë ndonjë tollovi e madhe në trafik. Normalisht në sezonin e dimrit kur janë edhe pushimet dimërore, që vijnë mërgimtarët po ashtu edhe verës vitin tjetër, krijohet një tollovi një komunikacion, por unë mendoj që ky është një projekt afatgjatë pasi që janë 300 ditë punë dhe domosdoshmërisht ka me u kriju njëfarë kaosi”, ka theksuar Shala.
Megjithatë, ai mendon se faza e parë do të kryhet me kohë, porse nuk duhet të ngutet dhe të bëhen punimet sa më cilësore.
E fakti që tenderin e ka fituar operatori “Hidroterm & Alba Konstruksion”, në të cilën aksionar është edhe Blerim Kuçi, sekretar i AAK-së, ka bërë që të ngritën dilema nga partitë opozitare, pasi kompanie në fjalë nuk ka qenë edhe ofertuesja më e lirë në këtë tender.
Për Vetëvendosjen, ka dyshime të mëdha që kontrata ka qenë e kurdisur, kurse edhe për partitë e tjera, kjo çështje ka vend për hetim.
Ndërsa nga Komuna e Suharekës kanë bërë të ditur se e gjithë procedura, që nga shpallja e tenderit, diskutimet publike e dhënia e lejes së ndërtimit, kanë shkuar sipas procedurave ligjore.
“Projekti i Sheshit të Qytetit është hartuar duke i përcjell të gjitha procedurat e parapara ligjore, që nga hartimi i detyrës projektuese për shpalljen e Konkursit Ndërkombëtar të Projektimit, diskutimeve dhe shqyrtimeve publike me qytetarë e deri në hartim final të Projektit Zbatues dhe dhënies së lejes se ndërtimit”, ka thënë për FaktePlus Sanije Kuçi, drejtoreshë për Urbanizëm dhe Planifikim në Suharekë.
Sa i përket akuzave për bllokim të trafikut, nga komuna kanë thënë se deri më tani nuk ka pasur në asnjë rast bllokim për këtë e as ankesa nga qytetarët.
“Sipas planit të prezantuar ka qarkullueshmëri në rrugë alternative rreth sheshit dhe deri më tani nuk kemi pasur bllokadë në asnjë rast. Po ashtu asnjë ankesë zyrtare nuk kemi pranuar nga ana e qytetarëve apo bizneseve që operojnë në atë zonë”, ka thënë për FaktePlus Berat Kabashi, menaxher i Kontratës për ndërtimin e Segmentit 3 dhe 4.
E për deklarimet se kryetari Bali Muharremaj fillimisht kishte folur për shesh të mbyllur e pastaj kishte thënë se do të jetë i hapur, këtë e kanë mohuar nga kabineti i tij.
“Kryetari Muharremaj asnjëherë nuk ka thënë që sheshi do të jetë i mbyllur”, kanë thënë shkurt nga komuna për FaktePlus.
Sheshi i qytetit, përkatësisht rruga “Brigada 123” sipas projektit zbatues është i ndarë në disa segmente apo faza, ku vlera e parashikuar për ndërtim të të gjitha fazave kap vlerën rreth 4 milionë euro, ndërsa 1 milion veçse janë alokuar nga Ministria e Infrastrukturës, me marrëveshjen e nënshkruar në qershor të këtij viti. Faza e parë sipas kontratës pritet të përfundojë për 300 ditë.
Më poshtë shihni se cilat rrugë janë të bllokuara në Suharekë, me rastin e punimeve për Sheshin e Qytetit./FaktePlus